Bizneset kosovare po zgjerojnë aktivitetin jashtë vendit, duke kërkuar mundësi më të sigurta dhe me fitim më të lartë në tregjet e rajonit. Kjo dukuri reflektohet edhe në statistikat e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), të cilat tregojnë rritje të investimeve direkte jashtë vendit.
Sipas BQK-së, gjatë gjysmës së parë të këtij viti investimet direkte të kosovarëve jashtë Kosovës arritën në 166.6 milionë euro, një rritje prej 55% krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, kur shuma ishte 107 milionë euro. Për krahasim, vlera e këtyre investimeve ishte 59.1 milionë euro në 2020, u rrit në 100.3 milionë euro në 2021 dhe arriti në 224.3 milionë euro në 2024.
Shqipëria si destinacion kryesor
Një destinacion kryesor për investitorët kosovarë mbetet Shqipëria. Kompania ndërtimore “Uni Projekt”, e drejtuar nga Fitim Bacaliu, operon në Shqipëri prej gjashtë vjetësh dhe ka orientuar investimet drejt atij tregu, duke ulur ndërkohë aktivitetin në Kosovë. Bacaliu thotë se arsyeja kryesore janë fitimet më të qëndrueshme: “Në Kosovë fuqia blerëse ka rënë ndjeshëm, ndërsa në Shqipëri ka shumë blerës të gatshëm.” Ai investon deri në 4 milionë euro në vit, kryesisht në Shëngjin dhe Lezhë, dhe punëson staf vendas.
Një rast tjetër është kompania prodhuese e këpucëve “Solid Shoes” nga Suhareka, e cila prej marsit zotëron 40% të aksioneve të një fabrike në Tiranë. Drejtori menaxhues, Shpejtim Kuçi, shpjegon se zgjerimi në Shqipëri u bë për shkak të përvojës më të madhe prodhuese, numrit më të madh të klientëve dhe lehtësive për eksport në vende ku Kosova nuk njeh aftësinë për eksport. Ai po ashtu thekson rëndësinë e transportit detar përmes portave shqiptare: “Ka shtete ku si Kosovë hasim barriera, ndërsa Shqipëria ka marrëveshje më të hershme tregtare.” Kompania e tij punëson rreth 600 punëtorë në Shqipëri, 200 në Kosovë dhe 80 në Preshevë.
Sipas Institutit për Studime të Avancuara – GAP në Prishtinë, vetëm vitin e kaluar kosovarët investuan mbi 80 milionë euro në Shqipëri, ndërsa në 2023 mbi 95 milionë euro. Në Mal të Zi, investimet e tilla në 2024 kapën vlerën e 18.2 milionë eurove.
Arsyet për largim
Ekspertët dhe përfaqësuesit e bizneseve e shohin si shqetësuese rritjen e investimeve jashtë Kosovës. Lulzim Rafuna, kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës, thotë se burokracia, mungesa e digjitalizimit dhe çmimet e larta të energjisë po i shtyjnë bizneset drejt tregjeve të tjera: “Ne ende funksionojmë me sistem klasik. Mungesa e digjitalizimit ngadalëson proceset. Kjo e komplikon procesin për bizneset dhe ato heqin dorë.” Ai rikujton edhe daljen e disa kompanive nga tregu i hapur i energjisë, që sipas tij ndikoi në rritjen e çmimeve dhe uljen e konkurrencës.
Ismet Mulaj, ish-ministër i Tregtisë dhe Industrisë, thotë se orientimi i bizneseve drejt Shqipërisë, Malit të Zi dhe vendeve të tjera tregon se jashtë vendit ato gjejnë kushte më të favorshme. Sipas tij, shqetësuese është largimi i bizneseve prodhuese: “Përveç procedurave burokratike dhe problemeve me energji, imazhi i produkteve të prodhuara në Kosovë nuk është ai që do ta dëshironim, sepse nuk është investuar mjaftueshëm në marketing.”
Pasojat për ekonominë
Largimi i bizneseve ka pasoja të rëndësishme për buxhetin dhe ekonominë e vendit. Përveç daljes së kapitalit, Kosova humb të ardhura nga doganat, Tatimi mbi Vlerën e Shtuar, tatimi mbi fitimin e korporatave dhe kontributet pensionale, të cilat shkojnë në shtetet ku kompanitë veprojnë. Bizneset që zhvendosen shpesh bëhen edhe konkurrentë në tregun vendor, duke ulur të ardhurat publike që mund të përdoren për shërbime si shëndetësia, arsimi dhe infrastruktura.
Varësia nga importet vijon të rritet. Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, vitin e kaluar importet arritën mbi 6 miliardë euro, ndërsa eksportet rreth 900 milionë euro. Edhe këtë vit, nga janari deri në korrik, importet kanë arritur mbi 4 miliardë euro, ndërsa eksportet 521 milionë euro. “Krejt paratë e gatshme po i nxjerrim jashtë dhe kjo është shumë e dhimbshme”, thotë Rafuna.
Zgjidhjet e propozuara
Ekspertët kërkojnë mbështetje të drejtpërdrejtë për sektorin privat, veçanërisht për industrinë prodhuese, dhe digjitalizim të shërbimeve përmes modelit “one stop shop”. Sipas Mulajt, realizimi i shërbimeve digjitale nuk kërkon kosto të larta, ndërsa do të përmirësonte shpejtësinë e shërbimeve dhe do të reduktonte mundësinë e korrupsionit.
Ministria në detyrë e Industrisë, Tregtisë dhe Inovacionit nuk iu përgjigj pyetjes së Radios Evropa e Lirë nëse ekziston ndonjë strategji për të frenuar këtë trend të largimit të bizneseve.