Edon Zhegrova është i vetmi nga sulmuesit e Juventusit në sezonin 2025-26 që ende nuk ka nisur asnjë ndeshje si titullar, pa përfshirë Arkadiusz Milikun, i cili mungon prej më shumë se 545 ditësh për shkak të një dëmtimi.
Të gjashtë sulmuesit e tjerë të skuadrës kanë marrë minuta si titullarë këtë sezon, ndërsa Zhegrova nuk është përfshirë ende në formacionin startues. Ylli i Kosovës ka kaluar një periudhë të vështirë për shkak të dhimbjeve në ijë, të cilat ndikuan në përgatitjet verore dhe në fillimin e sezonit.
Vendimet e trajnerëve Igor Tudor dhe Luciano Spalletti e kanë lënë jashtë formacionit titullar, por pasi faza më e vështirë e problemeve fizike ka kaluar, Zhegrova pritet së shpejti të ketë një shans për të debutuar si titullar në Serie A.
Sipas Calciomercato, sulmi i Juventusit ka hasur vështirësi këtë sezon dhe renditet i pesti për nga golat e shënuar, çka tregon nevojën për riorganizim. Zhegrova mund të sjellë ndryshim jo vetëm në aspektin e golave — ai ka 42 gola në 213 ndeshje me klube në karrierë — por edhe në asistime dhe në krijimin e superioritetit numerik përmes teknikës dhe driblimit.
Futja e Zhegrovës në formacion mund të përforcojë sulmin e Juventusit dhe të japë impulsin e nevojshëm për rezultate pozitive në pjesën e mbetur të sezonit, nënvizon mediumi. /Telegrafi/