Kocaelispor paguan pjesë të borxhit ndaj Bruno Petkoviç, mbeten rreth 125,000 euro

Kocaelispor ka bërë sot pagesën e nevojshme ndaj sulmuesit kroat Bruno Petkoviç, pas presionit dhe publikimit të çështjes në media, raporton gazetari turk Reşat Can Özbudak në X.

Petkoviç kishte kërcënuar javën e kaluar se do të largohej nga klubi për shkak të detyrimeve të papaguara. Ai kishte nënshkruar një kontratë dyvjeçare me Kocaelispor gjatë verës, por u përball me probleme në marrjen e pagave.

Sipas mediave lokale, javën e kaluar sulmuesit i janë paguar 200,000 euro, ndërsa sot mori edhe 325,000 euro të tjera. Këto pagesa çuan në tërheqjen e kërkesës së tij zyrtare për pagesë të menjëhershme.

Megjithatë, klubi i detyrohet ende rreth 125,000 euro, dhe nuk dihet kur dhe si do të zgjidhet pjesa e mbetur e borxhit. Mediat turke raportojnë se borxhi total i Kocaelispor ndaj tij ishte 650,000 euro, përfshirë 200,000 euro bonus nënshkrimi dhe 450,000 euro paga nga fillimi i sezonit.

Petkoviç kishte paralajmëruar gjithashtu se do të ndërmerrte veprime ligjore nëse detyrimet nuk përmbusheshin. Këtë sezon ai ka luajtur tetë ndeshje për Kocaelispor, duke shënuar katër gola.

Para transferimit në Turqi, Petkoviç ka luajtur për klube si Dinamo Zagreb, Bologna, Hellas Verona, Trapani, Catania, Entella, Reggiana dhe Varese. Ai ka 42 paraqitje me përfaqësuesen e Kroacisë, ku ka shënuar 11 gola.

/Telegrafi/

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *