Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë, Elisa Spiropali, u prit në Zagreb nga homologu kroat, Gordan Grlić Radman. Të dyja palët vlerësuan thellimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe forcimin e bashkëpunimit rajonal.
Sipër takimit Spiropali njoftoi se bisedimet u fokusuan në ngritjen e bashkëpunimit në një nivel të ri institucional, me përgatitjen e Mbledhjes së Parë Ndërqeveritare Shqipëri–Kroaci dhe mbajtjen e Komisionit të Përbashkët për Marrëdhënie Ekonomike. Qëllimi kryesor është rritja e shkëmbimeve tregtare dhe nxitja e investimeve mes dy vendeve.
Ministrat diskutuan gjithashtu për projektet e konektivitetit në rajon, me theks në infrastrukturë dhe energji. Një tjetër temë qendrore ishte bashkëpunimi në fushën e sigurisë, në kuadër të marrëveshjes trilaterale Shqipëri–Kroaci–Kosovë.
Spiropali bëri të ditur se Kroacia mbështet fuqishëm ambicien e Shqipërisë për të përmbyllur negociatat e anëtarësimit në Bashkimin Evropian, duke vlerësuar përparimin shqiptar si një shembull të meritës në procesin e integrimit.