Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, njoftoi se artistja Adelina Thaçi Meta i është bashkuar LDK-së.
Në postimin e tij në Facebook, Abdixhiku shkruan se Adelina hap një kapitull të ri të angazhimit qytetar e politik dhe i bashkohet LDK-së duke sjellë profesionalizëm, integritet dhe humanizëm.
Adelina Thaçi Meta ka mbi dy dekada karrierë në muzikën klasike dhe moderne. Ajo është soprano profesionale, këngëtare pop dhe profesoreshë me përvojë të gjatë në vokal. Ka qenë soliste e Filharmonisë së Kosovës për më shumë se një dekadë, ka qenë profesoreshë e solo-këndimit për 23 vjet dhe aktualisht është ligjëruese universitare në lëndët Teknikë Vokale, Diksion dhe Repertor. Arsimimin e kreu në Universitetin Shën Kirili dhe Metodi në Shkup dhe në Fakultetin e Arteve në Prishtinë.
Në skenën ndërkombëtare ka pasur interpretime operistike, bashkëpunime me dirigjentë të njohur, debutime në role të rëndësishme dhe projektin dueti “Dolce Suono” me tenorin José Carreras. Ajo ka përfaqësuar vendin në festivale në Kroaci, Itali, Gjermani dhe SHBA.
Në muzikën pop, Adelina ka fituar çmime të para në festivale në Kosovë e Shqipëri, ka tre albume dhe dhjetëra këngë e videoprojekte. Si trajnere vokale dhe themeluese e Ansamblit Vokal “Zanat”, ajo ka kontribuar në zhvillimin e brezave të rinj të artistëve dhe në promovimin e kulturës muzikore.
Abdixhiku thekson se ardhja e saj është një fitore për LDK-në dhe shërben si thirrje për bashkim të atyre që besojnë në vendin dhe misionin e partisë. Ai përfundon me mesazhin se dyert e partisë janë të hapura.
Adelina Thaçi Meta është e martuar me Bardhylin dhe kanë dy vajza, Fionën dhe Melisën.