Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, dha deklaratën e parë pas shortit të hedhur në Cyrih, ku Kosova u caktua të përballet me Sllovakinë në gjysmëfinalen e “Play-Off”-it për kualifikim në Kupën e Botës 2026.
Ademi vlerësoi se në këtë fazë çdo ndeshje është si finale, duke pasur parasysh nivelin dhe forcën e ekipeve pjesëmarrëse, por shfaqi optimizëm për sukses. “Të gjitha ndeshjet në këtë fazë janë si finale, sepse të gjitha ekipet janë të forta. Nuk e shoh si favorit, por e shoh në faktin se nëse japim 100 përqindshin ne e kalojmë këtë hap për të shkuar deri te finalja, e cila do të luhet në Prishtinë me Turqinë apo Rumaninë”, tha ai.
Presidenti i FFK-së theksoi rëndësinë e gjendjes së lojtarëve: “E përsëris, po të japim 100 përqindshin me këta futbollistë që i kemi dhe nëse ata janë mirë e pa ndonjë lëndim, sigurisht se do ta arrijmë më të mirën”.
Ademi shprehu besimin se Kosova do të kalojë hapin e parë dhe do të sigurojë biletën për në finalen e madhe të “Play-Off”-it, e cila do të zhvillohet në stadiumin “Fadil Vokrri” kundër fituesit të çiftit Turqi–Rumani.
Ndeshja me Sllovakinë do të luhet më 26 mars 2026 në Bratislavë, ndërsa finalja eventuale më 31 mars 2026 në Prishtinë.
/Telegrafi/