Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka reaguar pas kualifikimit historik të përfaqësueses së Kosovës në fazën Play-Off për Kupën e Botës, duke dënuar ashpër narrativat negative dhe shpifjet që, sipas tij, tentojnë të zbehin këtë arritje.
Në një reagim publik, Ademi shprehu krenari për paraqitjen e ekipit në ndeshjen ndaj Zvicrës, e cila përfundoi me barazim 1:1, duke siguruar kështu kualifikimin historik për Kosovën. Ai u shpreh se ky moment është rezultat i vetëm nëntë viteve të pjesëmarrjes së Kosovës në UEFA dhe FIFA.
Ademi kritikoi ashpër disa media dhe analistë që, sipas tij, i kushtuan më shumë rëndësi temave jashtëfushore sesa suksesit të skuadrës. Ai i cilësoi si të pavërteta zërat për moszhvillimin e ndeshjes dhe për gjendjen e fushës, duke theksuar se stadiumi përballoi me sukses shiun e vazhdueshëm.
Presidenti i FFK-së mbrojti kontributin e futbollistëve, në veçanti të Granit Xhakës dhe lojtarëve nga diaspora, të cilët i konsideroi si pasuri kombëtare, krahas artistëve dhe figurave të njohura shqiptare jashtë vendit. Ai rikujtoi se edhe rilindasit e dikurshëm kanë kontribuar për çështjen kombëtare nga jashtë vendit, njësoj siç bëjnë sot sportistët shqiptarë që jetojnë dhe veprojnë në diasporë.
Ademi dënoi gjithashtu vërshëllimat ndaj Xhakës gjatë ndeshjes, duke theksuar se ato nuk përfaqësojnë shumicën e tifozëve, e veçanërisht jo tifogrupin ‘Dardanët’. Ai i quajti këto reagime të panevojshme dhe paarsyeshme.
Në përfundim, ai falënderoi tifozët që përkundër kushteve atmosferike dhe propagandës negative, mbushën stadiumin dhe qëndruan pranë ekipit kombëtar.
“Kosova është në Play-Off dhe ky është realiteti. Së bashku me mërgatën tonë, do të vazhdojmë të bëjmë krenar vendin tonë. Forca Kosova!” – përfundon reagimi i Agim Ademit.