Agron Demi paralajmëron bllokadë institucionale për organizimin e zgjedhjeve në Kosovë

Analisti i politikave publike Agron Demi nga Atlas Institute paralajmëron për një bllokadë serioze institucionale lidhur me organizimin e zgjedhjeve në Kosovë.

Përmes një grafike shpjeguese, Demi thekson se vendi ndodhet në një situatë paradoksale: procesi zgjedhor kërkon një buxhet të ri, por, sipas opozitës dhe interpretimit të vendimit të Gjykatës Supreme, Qeveria nuk ka mandat të marrë vendime që krijojnë detyrime financiare.

Ai nënvizon se për të mbajtur zgjedhjet Qeveria duhet të ndajë buxhet për KQZ-në, por kjo po kontestohet me argumentin se ekzekutivi aktual ndodhet në një mandat të dyfishtë dhe, rrjedhimisht, është i kufizuar në vendimmarrje të tilla.

Sipas Demit, kjo krijon një rreth vicioz:
– Zgjedhjet janë të domosdoshme;
– KQZ-ja ka nevojë për buxhet të ri;
– Qeveria, sipas kundërshtuesve, nuk mund të ndajë atë buxhet;
– Kuvendi vazhdon të jetë i bllokuar dhe jo funksional.

Ai përshkruan këtë gjendje me termin “Shteti kaps”, duke vënë në dukje se vendi rrezikon të mos ketë as zgjedhje, as vendimmarrje dhe as dalje ligjore nga kriza pa u adresuar çështja e mandatit të Qeverisë.

Demi ka theksuar edhe koston financiare të bllokadës, duke dhënë shifrat e mëposhtme:
– 8 milionë euro kanë kushtuar zgjedhjet e shkurtit;
– 1.6 milionë euro kanë marrë paga deputetët prej prillit e deri më sot, “pa bërë asgjë”;
– 8 milionë euro shtesë duhen për të mbajtur zgjedhjet e dhjetorit.

“Në total, 17.6 milionë euro kanë shkuar për hiç – dhe ky është dëmi minimal, pa llogaritur bllokadën e institucioneve, stagnimin në arenën ndërkombëtare dhe bllokimin e dhjetëra milionave nga fondet e BE-së,” ka shkruar ai.

Burimi: Telegrafi

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *