Drejtori i Përgjithshëm i Doganës së Kosovës, Agron Llugaliu, publikoi sot në LinkedIn reagim lidhur me operacionin në të cilin u ndalua tentativa për të futur 120 kilogramë kanabis në territorin e Republikës së Kosovës.
Ai vë në pah rolin e Doganës në mbrojtjen e sigurisë dhe ekonomisë së vendit, duke përmendur misionin shumëdimensional të institucionit: mbrojtjen e shoqërisë, luftimin e ekonomisë joformale, sigurimin e të hyrave për buxhetin dhe lehtësimin e tregtisë.
Llugaliu thotë se rezultatet e arritura gjatë viteve janë të prekshme dhe se ato janë konfirmuar edhe në Raportin e Progresit të Komisionit Evropian, i cili vlerësoi rrugëtimin e Kosovës në proceset integruese.
Ai thekson se një fokus i veçantë mbetet adresimi i rreziqeve të drejtpërdrejta për qytetarët — përfshirë narkotikët, armët dhe produktet e rrezikshme që mund të dëmtojnë sigurinë fizike dhe shëndetin publik.
Sipas Llugaliut, muajt e fundit kanë qenë veçanërisht të suksesshëm falë operacioneve të intensifikuara dhe bashkëpunimit të ngushtë me institucionet e tjera të zbatimit të ligjit brenda dhe jashtë Kosovës.
“Rasti i sotëm, ku u ndalua futja e 120 kg kanabis, është një dëshmi e qartë e profesionalizmit dhe përkushtimit të zyrtarëve tanë, të cilët punojnë 24 orë pa u lodhur për të mbrojtur kufirin dhe sigurinë e fëmijëve tanë,” shkruan Llugaliu.
Ai garantoi se menaxhmenti i Doganës së Kosovës do të vazhdojë ta mbështesë pa rezervë punën e zyrtarëve në terren, duke vlerësuar rolin e tyre thelbësor në mbrojtjen e vendit dhe shoqërisë.