Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile (AKMC) njofton se, pas ndërhyrjeve të pandërprera të forcave operacionale edhe gjatë natës, situata në të gjithë vendin paraqitet e përmirësuar, megjithë reshjet që në disa zona vijojnë ende. Nivelet e ujit në disa vendbanime kanë nisur të ulen; një pjesë e madhe e akseve rrugore janë rikthyer të kalueshme. Ekipet e emergjencave civile, Forcat e Armatosura, OSHEE dhe strukturat vendore vijojnë punën për stabilizimin e situatës, normalizimin e furnizimit me energji, pastrimin e rrëshqitjeve dhe garantimin e sigurisë së banorëve.
Situata sipas qarqeve:
QARKU VLORË
Niveli i lumit Vjosa në Novoselë vazhdon me tendencë uljeje; aktualisht është 7.65 m. Vazhdojnë punimet në bashkitë Delvinë, Finiq dhe Konispol, ku ditët e fundit ka pasur prezencë dherash në rrugët që lidhin disa fshatra. U krye rehabilitimi i aksit Kakodhiq–Lefterhor, me mbështetjen e 30 forcave dhe 3 mjeteve nga Forcat e Armatosura. Në fshatin Vrion është bërë evakuimi i banorëve në një banesë për shkak të përmbytjes. Hidrovorët e bashkisë Vlorë punojnë me kapacitet të plotë.
QARKU FIER
Ka ulje të niveleve në lumenjtë Vjosë dhe Seman. Rreth 110 hektarë tokë janë me prezencë uji në fshatrat Kashisht–Çerven dhe Ferras. Nuk ka pasur evakuime masive, por është punuar për largimin e ujit nga oborret e banesave. Autoritetet vendore monitorojnë argjinaturat pranë lumenjve; deri tani nuk është dëmtuar infrastruktura kritike. Strukturat vendore janë në gatishmëri të plotë me kapacitetet teknike dhe logjistike në dispozicion. Në Ferras, pranë Vjosës, janë vendosur edhe kapacitetet e Ministrisë së Mbrojtjes me mjete të kalueshmërisë së lartë, varka shpëtimi dhe trupa për mbështetje.
QARKU KORÇË
Ekipet monitorojnë prurjet në lumenjtë Devoll dhe Dunavec. Ka përmbytje të tokave bujqësore dhe disa banesave në Lumalas, Bulgarec, Shamoll, Çiflig, Turan, Vloçisht e Sovjan. Në Sovjan janë evakuuar 15 familje. Bashkia Pustec po mban nën kontroll situatën në fshatin Shulin, ku uji depërton herë pas here në katet përdhese. Bashkia Pogradec raporton prurje të larta nga Vërdova, Rëmenji dhe lumi i qytetit. Po punohet për pastrimin e dherave në Dardhas, Proptisht dhe Çërravë. Hidrovori i Tushemishtit po punon me kapacitet të plotë; janë në funksion 4 pompa. Strukturat e bashkisë, UKT dhe zjarrfikësit vijojnë punën në terren. Në bashkinë Kolonjë, rezervuarët e Helmesit dhe Kabash–Leskovik punojnë me kapacitet maksimal. Po punohet për riparimin e urave në Qafzezë, Shtikë, Gostivisht dhe Psar. Pas disa orësh kërkim-shpëtimi, ekipet dhe Forcat e Armatosura gjetën trupin e një zonje 76 vjeçe në Progër.
QARKU LEZHË
Në gjithë qarkun janë ndërhyrje të përqendruara për shkak të situatës komplekse nga reshjet. Janë rreth 220 ha sipërfaqe nën ujë: 90 ha në Zejmen, 70 ha në Shënkollë dhe rreth 60 ha në Barbullojë si pasojë e dëmtimit të argjinaturës në Tale. Hidrovorët po punojnë me kapacitet të plotë, përveç atij të Tales. Furnizimi me ujë të pijshëm dhe energji elektrike vazhdon normalisht. Në bashkinë Lezhë, strukturat e emergjencës punuan tek argjinatura e Lagunës Vain; faza e parë e riparimit/mbylljes së argjinaturës përfundoi, ndërsa do të vazhdojnë punimet për ngritjen e saj dhe shpërndarjen e ndihmave ushqimore, si dhe evakuimin e personave të izoluar. Ekipet me varka evakuuan disa banorë që kërkuan ndihmë. Në Kurbin, prezenca e ujit është pjesërisht në zonën e ulët të Gjormit. Vazhdojnë punimet në shtratin e lumit Drojë me eskavatorin e bashkisë dhe rehabilitimi i rrugës alternative të fshatit Shpërdhet për sigurimin e aksesit. Në aksin Skuraj–Vinjollë–Gallatë po punojnë eskavatori me zinxhir i FA-së, fadroma dhe një kamion i bashkisë; aksi është i kalueshëm pas riparimit të urës. Po ndërhyhet gjithashtu në shtratin e lumit Skuraj (Vinjollë) për devijimin e rrjedhës pranë rrugës. Në Mirditë vazhdojnë ndërhyrjet për rehabilitimin e rrugëve në njësitë administrative Rrëshen, Kaçinar dhe Fan. Nuk raportohet dëme të konsiderueshme në kultura bujqësore.
QARKU DIBËR
Situata paraqitet në përmirësim. Po punohet për thellimin e kanalit kullues dhe largimin e ujit në bashkinë Bulqizë, ku pati probleme në aksin rrugor mes qytetit të vjetër dhe qytetit të ri pranë terminalit. Po mbahet nën monitorim situata në fshatin Urakë dhe në liqenin e Ulzës, ku ka rritje të nivelit të ujit; në terren janë mjete dhe forca nga Forcat e Armatosura për të shmangur rrezikun e përmbytjes së banesave dhe për të sistemuar provizorisht argjinaturat.
QARKU SHKODËR
Në bashkinë Fushë-Arrëz situata më problematike është në njësinë administrative Qafë Mali, ku po punohet për pastrimin e dherave në disa segmente rrugore. Në bashkinë Malësi e Madhe është konstatuar rritje e prurjeve të përroit të Thatë.
QARKU BERAT
Situata paraqitet në përmirësim. Ka rënie të dukshme të nivelit të lumit Osum, i cili është brenda shtratit të vet, dhe ujërat në toka bujqësore janë zvogëluar. Edhe lumi Devoll ka shënuar rënie. Shërbimet e bashkive Dimal dhe MZSh do të fillojnë pastrimin e baltës dhe llumit nga rrugët dhe oborret e banesave.
QARKU GJIROKASTËR
Në bashkinë Dropull, ura që lidh aksin kombëtar me fshatrat Glinë, Peshkëpi e Poshtme, Peshkëpi e Sipërme dhe Radat, si dhe me fshatin Nepravishtë të bashkisë Libohovë, ka pësuar ulje si pasojë e reshjeve. Policia e Shtetit ka ndaluar qarkullimin mbi urë; bashkitë dhe bizneset private po marrin masa për vënien në funksion të një rruge alternative që të mundësojë kalimin. Në bashkinë Libohovë është punuar për riparimin e urës në fshatin Suhë. Në Përmet u realizua riparimi i rrugës Frashër–Përmet pranë depos së ujit të fshatit, duke lejuar kalimin e mjeteve.
QARKU ELBASAN
Në Bashkinë Gramsh po punohet në segmentin e rrugës në njërin krah të urës së Shëmrizës. Ka ndërhyrje në aksin Kodovjat–Mashan, ku ishte shembur një masiv dheu, dhe në aksin Gramsh–Moglicë, në vendin e quajtur Mashan, ku pas ndërhyrjes kalimi është i lirë. Po punohet gjithashtu në aksin nacional Elbasan–Peqin, tek kthesa e Broshkës për pastrimin e gurëve të rënë.
QARKU TIRANË
Vazhdohet monitorimi si pasojë e shtimit të prurjeve të lumit Shkumbin në Rrogozhinë, i cili dje doli përkohësisht nga shtrati. Ekipet e OSHEE janë në terren pa ndërprerje për rilidhjen e energjisë në zonat që kanë pësuar ndërprerje nga moti i keq. Ministria e Mbrojtjes, AKMC dhe strukturat në varësi vijojnë punën në terren për të siguruar jetën e banorëve, gjësë së gjallë dhe pronën. Autoritetet bëjnë thirrje që banorët e zonave të prekura të bashkëpunojnë me strukturat, në rast nevoje për evakuim.