AKP publikon listën e kërkesave për blerje direkte të aseteve shoqërore — 1,116 kërkesa të pashqyrtuara

Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) ka publikuar në faqen e saj zyrtare listën e kërkesave për blerje direkte të aseteve të ndërmarrjeve shoqërore. Lista është përgatitur nga Divizioni i Shitjeve Direkte i AKP-së dhe përfshin të gjitha kërkesat e evidentuara ndër vite.

Sipas AKP-së, aktualisht në listë figurojnë 1,116 kërkesa të pashqyrtuara, të renditura sipas datës së dorëzimit dhe që mbulojnë periudhën nga viti 2015 e deri më sot. Këto kërkesa nuk janë trajtuar ende për shkak të rrethanave të ndryshme ligjore dhe teknike, si: masat e përkohshme të vendosura nga gjykatat, çështjet kadastrale, mospërputhjet ndërmjet gjendjes grafike dhe asaj tekstuale, rastet e aseteve të përfshira në proceset e shpronësimit nga Qeveria, si dhe situata të tjera që kërkojnë verifikim të detajuar para vendimit përfundimtar.

AKP thekson se publikimi i kësaj liste është pjesë e përkushtimit për rritjen e transparencës dhe llogaridhënies ndaj palëve të interesuara dhe publikut, me qëllim administrimin sa më përgjegjës të aseteve shoqërore dhe rritjen e vlerës së tyre. Lista do të azhurnohet rregullisht.

Palët e interesuara ftohen të dërgojnë vërejtjet e tyre me shkrim nëse konstatojnë pasaktësi në të dhënat e publikuara. Ato mund të dorëzohen fizikisht në AKP ose përmes email-it zyrtar: info@pak-ks.org.

Lista e plotë e kërkesave për blerje direkte mund të gjendet në faqen zyrtare të AKP-së: https://www.pak-ks.org/Page.aspx?id=1

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *