Aktakuzë në Prizren për blerje votash: 120 euro për votë, avokati paralajmëron dënim deri në 5 vjet

Institucionet e drejtësisë po shqyrtojnë raste të dyshuara për blerje votash dhe ndikim në procesin e votimit, ndër të cilat është edhe një rast që po trajtohet në gjykatën e Prizrenit.

Prokuroria në Prizren ka ngritur aktakuzë kundër Y.Rr. dhe B.K., të akuzuar për ndërhyrje në procesin e votimit. Sipas akuzës, çdo votë është paguar 120 euro.

Avokati Arbër Jashari shpjegon se Kodi Penal i Republikës së Kosovës parashikon 11 vepra kundër të drejtave të votimit, të cilat klasifikohen si vepra penale kundër integritetit zgjedhor. Dhënia dhe marrja e ryshfetit është një prej këtyre veprave dhe, sipas kodit penal, personi që premton, ofron ose jep një dhuratë ose favor për të influencuar votën mund të dënohet deri në pesë vjet burgim. Po kështu, edhe personi që vepron si ndërmjetës mund të përballet me të njëjtin dënim, tha avokati në emisionin Tëvë1.

Avokati shtoi se në Kosovë ekziston një traditë e ndjekjes së këtyre veprave penale gjatë periudhave zgjedhore. Ai vuri në dukje se ka pasur një mobilizim të jashtëzakonshëm të prokurorisë për të ruajtur integritetin e zgjedhjeve dhe se rastet më masive u regjistruan midis viteve 2010–2014, ndërsa në zgjedhjet e fundit ka pasur vetëm raste të izoluara.

Sipas Policisë së Kosovës, për raundin e dytë të zgjedhjeve për kryetar të komunave ishin angazhuar rreth 80 prokurorë dhe staf mbështetës të sistemit prokurorial. Po ashtu, Policia kishte hartuar një plan operativ për mbarëvajtjen e gjithë procesit zgjedhor.

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *