Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër dy të pandehurve, Y.Rr. dhe B.K., për dyshim të bazuar mirë se kanë kryer veprën penale “Dhënia ose marrja e ryshfetit lidhur me votimin”.
Sipas aktakuzës, më 12.10.2025 në fshatin Budakovë, Komuna e Suharekës, i pandehuri Y.Rr. i ka ofruar i pandehurit B.K. përfitim të pa merituar në shumën 120 euro, me qëllim që ky i fundit të votojë në favor të kandidates për asamble komunale. Për verifikimin e votimit, Y.Rr. ka kërkuar të shohë telefonin e B.K., dhe më pas i ka dorëzuar shpërblimin.
I pandehuri B.K. akuzohet se ka pranuar këtë përfitim të pa merituar me qëllim të ndikimit në votimin e tij.
Prokurori i çështjes ka propozuar që, pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit dhe vlerësimit të provave, të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit.