Për të katërtën herë radhazi, shkollat në Tetovë janë prekur nga një alarm i rremë për bombë. Këtë herë, lajmërimi arriti në Ministrinë e Punëve të Brendshme në Shkup, duke çuar në evakuimin e dy gjimnazeve në Tetovë. Drejtori i gjimnazit “Kiril Pejçinoviq”, Jeton Kamberi, pohoi rastin dhe shtoi se pas kontrolleve të policisë, mësimi rifilloi normalisht.
” Në mëngjes, pas fillimit të orës së parë, alarmi u dha nga organet e rendit. Ndryshe nga herët e tjera, emaili alarmues nuk na erdhi neve, por policisë, dhe ne nuk ishim në dijeni. Nxënësit ishin në klasa kur policia erdhi dhe kërkoi evakuimin,” deklaroi Kamberi.
Sektori për Punë të Brendshme në Tetovë ka konfirmuar rastin dhe po punon për zbardhjen e tij, si dhe identifikimin e burimit të emailit. “SPB Tetovë mori masa të menjëhershme dhe evakuoi shkollat, duke siguruar zonën përreth. Kontrolli i objektit tregoi se bëhej fjalë për alarm të rremë. Alarme të tilla janë shpeshtuar kohët e fundit, dhe MPB së bashku me sektorët për krim kompjuterik dhe forenzik po marrin masa për të zbuluar autorin,” tha Fatmir Rexhepi.
Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme, emaili dyshohet se është shkruar fillimisht në gjuhën maqedonase dhe pastaj përkthyer në shqip, duke ngjarë me alarme të mëparshme të rreme. Në një periudhë njëvjeçare, katër raste të tilla kanë ndodhur në shkollat e Tetovës.