Alarm i rremë për bombë në shkollat e Tetovës, evakuohen dy gjimnaze

Për herë të katërt radhazi, në shkollat e Tetovës është dërguar alarm i rremë për bombë. Kësaj radhe, njoftimi nuk ka shkuar në email-et e shkollave, por ka arritur në Ministrinë e Punëve të Brendshme në Shkup. Për pasojë, është urdhëruar evakuimi i nxënësve të dy gjimnazeve në Tetovë. Drejtori i gjimnazit ‘Kiril Pejçinoviq’ e konfirmoi rastin, duke thënë se pas kontrolleve të policisë, mësimi ka vijuar normalisht. Jeton Kamberi, drejtori i gjimnazit, deklaroi se alarmi është dhënë rreth orës 7:45 nga policia. Nxënësit u nxorën nga ambientet e shkollës për të kryer kontrollet e nevojshme, por pas verifikimeve, alarmi u konstatua si i rremë. Sektori për Punë të Brendshme në Tetovë është duke punuar për zbardhjen e rastit dhe identifikimin e dërguesit të email-it. Fatmir Rexhepi nga SPB Tetovë njoftoi se janë marrë masa për sigurimin e shkollave dhe sektorit për krim kompjuterik dhe forenzik po punon për të lokalizuar personin që ka dërguar email-in. Mendohet se email-i ishte shkruar në maqedonisht dhe përkthyer në shqip përmes Google Translate, duke ngjasuar me alarmet e mëparshme të rreme. Gjatë vitit të fundit, në Tetovë janë raportuar katër raste të dërgimit të alarmeve të rremë për bomba.

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *