Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka adresuar rëndësinë e formimit të komisioneve të përhershme parlamentare. Ai theksoi se ky është hapi më urgjent për institucionet. “Kemi edhe dy ditë deri në seancën e Kuvendit për mandatarin e radhës. Urgjenca për shtetin e Kosovës është formimi i katër komisioneve të përhershme parlamentare”, deklaroi Kurti. Ai shtoi se mungesa e funksionalizimit të komisioneve rrezikon proceset institucionale. Pas konstituimit të Kuvendit, ai theksoi se të gjitha procedurat e tjera duhet të zhvillohen pa vonesa. Kurti paralajmëroi se çdo ditë pa komisione funksionale dëmton proceset ligjore, administrative dhe përfitimet për qytetarët. Ai kujtoi që afati 15-ditor për mandatarin e propozuar nga kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, është afër skadimit. “Pesëmbëdhjetëditëshi i mandatarit Konjufca përfundon të mërkurën”, theksoi ai, pa dhënë detaje nëse i kanë numrat për formimin e Qeverisë.