Kryeministri në detyrë Albin Kurti mbajti mbrëmë një fjalim në Bazilikën Santa Maria in Aracoeli, ku Filharmonia dhe Kori i Operës së Kosovës interpretuan oratorion “La tempesta sul lago” të kardinalit Domenico Bartolucci.
Në fjalimin e tij, Kurti theksoi rëndësinë historike të muzikës për Kosovën dhe kontributin e figurave si Niketë Dardani, Lorenc Antoni dhe Shën Tereza e Kalkutës në traditën muzikore të vendit.
“Është një nder i madh të jem këtu sonte, në një vend ku muzika e shenjtë ka formësuar jetën shpirtërore dhe artistike të botës për shekuj me radhë. Në Vatikan, përmes Korit të Kapelës Sistine dhe trashëgimisë së kompozitorëve si Palestrina, Allegri dhe Kardinal Domenico Bartolucci, muzika ka shërbyer prej kohësh si një formë lutjeje, përsiatjeje dhe përkushtimi”, deklaroi Kurti.
Pas këtij aktiviteti, Vehbi Miftari, shefi i Misionit të Posaçëm të Republikës së Kosovës në Vatikan, reagoi duke pyetur për mënyrën e organizimit të vizitës. Ai komentoi në postimin e Kurtit në Facebook: “Ishit në Vatikan? Po Misioni i Kosovës në Vatikan ishte aty, siç kërkon praktika diplomatike e sjellja shtetërore? E kishit vënë në dijeni? Kush u mor me organizimin nëse jo misioni juaj në shtetin e Vatikanit?”
Lajmi u publikua nga Telegrafi.