Albin Kurti në Manastir: Alfabeti shqip si themel i unitetit kombëtar

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në ceremoninë qendrore për 117‑vjetorin e Kongresit të Manastirit, ku mbajti një fjalim mbi rëndësinë historike të alfabetit shqip dhe rolin e tij në ndërtimin e unitetit kombëtar.

Ngjarja, e organizuar në Manastir, ishte e pranishme nga përfaqësues të lartë politikë nga Maqedonia e Veriut, Kosova, Shqipëria dhe trojet shqiptare. Kurti falënderoi për mikpritjen dhe përshëndeti një numër zyrtarësh, përfshirë kryetarin e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut Afrim Gashin, zëvendëskryeministrin Arben Fetai, ministren e Jashtme të Kosovës Donika Gërvalla, kryetarë komunash nga rajoni dhe përfaqësues të arbëreshëve të Italisë.

Në fjalimin e tij, Kurti tha se alfabeti shqip është “kurorëzimi i evolucionit të shkrimit ndër shekuj” dhe se Kongresi i Manastirit mbetet një nga ngjarjet më madhore të historisë kombëtare. Ai theksoi se standardizimi i alfabetit ishte shumë më tepër se një vendim teknik: “Kombi nuk është në të kaluarën – është në të tashmen dhe të ardhmen. Politikisht bashkë na bën shkrimi i njësuar i gjuhës,” u shpreh ai.

Kryeministri në detyrë rikujtoi se, nga Manastiri e deri te Kongresi i Drejtshkrimit i vitit 1972, shqiptarët kanë punuar për të ruajtur dhe zhvilluar gjuhën si elementin që tejkalon ndarjet krahinore, politike dhe ideologjike.

Ai nderoi figura të Rilindjes dhe të Kongresit të Manastirit, duke përmendur Gjergj Fishta, Mithat Frashëri, Ndre Mjeda, Luigj Gurakuqi, Parashqevi Qiriazi e të tjerë, dhe theksoi se ata “e vendosën gjuhën shqipe jo me akademi, por me Kongres”.

Fjalimin Kurti e përmbylli me mesazhin se shkrimi i gjuhës shqipe “mbetet përjetësisht”, siç, sipas tij, mbetet edhe qenia shqiptare.

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *