Ambasadorja gjermane në Maqedoni, Petra Drexler, tha se është e gabuar përshtypja që publiku vendas mund të ketë se Maqedonia e Veriut ndan më shumë para për gjyqësorin sesa Gjermania. Deklarata erdhi në kontekstin e mesazheve të kryeministrit Hristijan Mickoski dhe kërkesave të gjyqësorit për një buxhet më të madh dhe pavarësi financiare, përcjell Telegrafi Maqedoni.
Drexler theksoi se duhet të shikohen me kujdes shifrat. “Nëse krahasoni të dhënat që Komisioni Evropian mbi efikasitetin e gjyqësorit mori si rezultat të anketës në vitin 2022, do të shihni se Gjermania investoi pesë herë më shumë në gjyqësor për frymë sesa Maqedonia e Veriut në atë kohë”, tha ambasadorja në një deklaratë për “360°”.
Ajo gjithashtu theksoi se Bashkimi Evropian mund të pranojë vetëm anëtarë të rinj që punojnë vazhdimisht për të siguruar që sundimi i ligjit të jetë i garantuar.
Kryeministri Hristijan Mickoski, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, tha se e konsideron të pranueshme ndarjen e 0.35 përqind të BPV-së për gjyqtarët dhe prokurorët. Sipas tij, si vend kemi ndarë për sistemin ligjor më shumë se nivelet e 75 përqind të vendeve anëtare të BE-së.
“Po e studioj këtë rast në detaje gjatë kësaj periudhe, përfshirë pjesën me buxhetin e destinuar për gjyqësorin dhe Prokurorinë. Edhe Komisioni i Venecias ka vërejtje për atë nen ku buxheti gjyqësor është praktikisht i përcaktuar”, tha Mickoski.
Ai përmendi gjithashtu një analizë më gjithëpërfshirëse të gjendjes së financimit të sistemit ligjor në Evropë, të kryer dhe të financuar nga institucione evropiane (Këshilli i Evropës), me të dhëna nga viti 2022 të publikuara në vitin 2024. Sipas këtij vlerësimi, vendi ynë ndan fonde për sistemin gjyqësor më shumë se 75 përqind e shteteve anëtare të BE-së.
Mickoski sqaroi se nga viti 2022 Maqedonia e Veriut ndan 0.39 përqind të BPV-së për gjyqësorin dhe se BPV-ja është rritur në vitet 2023 dhe 2024. Ai përmendi krahasimet me vende të tjera: Franca 0.2 përqind, Gjermania 0.3 përqind dhe mesatarja evropiane 0.3 përqind.