Analistët: Kosova ka kaluar një vit të humbur, zgjedhjet kërkojnë kompromis dhe ulje të tensioneve

Në episodin e radhës të “Përballje Podcast” në Telegrafi.com, analistët politikë Besa Luzha dhe Melazim Koci vlerësuan se Kosova ka kaluar një vit të humbur në plan politik e institucional, me pasoja për ekonominë, imazhin ndërkombëtar dhe raportet me aleatët kryesorë. Ata paralajmëruan se zgjedhjet e reja nuk mjafton vetëm t’u mbahen, nëse nuk shoqërohen me kompromis, ulje të tensioneve dhe ndryshim të gjuhës politike.

Besa Luzha përshkroi bllokadën institucionale si dështim të klasës politike për të arritur marrëveshje minimale që sigurojnë funksionimin e institucioneve. “Kemi një vit të humbur pothuajse, prej shkurtit, prej nëntë shkurtit. Do të rrimë, sigurisht, deri te nëntë shkurti tjetër, deri sa të vjen formimi i institucioneve të reja,” tha ajo gjatë bisedës me kryeredaktorin Muhamet Hajrullahu. Luzha u shpreh se partitë i kanë dhënë prioritet garës për vota dhe ripozicionimit përpara zgjedhjeve lokale, në vend të zgjidhjes së krizës.

Sipas Luzhës, në një situatë normale kompromisi dhe marrëveshjet minimale do të sillnin institucione, përfshirë edhe mundësinë e një qeverie teknike, siç ishte propozuar gjatë vitit. Ajo kritikoi mungesën e vullnetit politik për kompromis: “Partitë nuk jepnin as përpjekjen më të vogël për ta zgjidhë situatën, ndërsa polarizimi dhe përçarja janë thelluar dhe do të reflektohen edhe pas zgjedhjeve të reja, ku sërish do të ketë nevojë për koalicione.”

Melazim Koci analizoi arsyet që, sipas tij, bënë të pamundur formimin e qeverisë pas zgjedhjeve të muajit shkurt. Ai përmendi tre faktorë kryesorë: përjashtimin e votave të Listës Serbe për shkak të zhvillimeve në veri; çështje të tjera, përfshirë zgjedhjen e presidentes/presidentit; dhe mungesën e vullnetit për bashkëqeverisje nga ana e kryeministrit në detyrë.

“Secili ka kalkulu përse ta marrë pataten e nxehtë në dorë nëse pas nëntë muajsh dhe të humbi, të rrezikoj, meqë kërkesa e parë e ndërkombëtarëve do të ishte dërgimi i draftit në Gjykatën Kushtetuese — një hap me kosto të lartë elektorale për cilëndo parti që do ta mbante Qeverinë,” deklaroi Koci. Si të tretin, ai e konsideroi mosgatishmërinë e kryeministrit në detyrë për bashkëqeverisje: “Mendoj që zoti Kurti nuk ka dashur bashkëqeverisje, ka dashur ose Qeveritë e Vetëvendosjes me pakicat jo-serbe, ose shkojnë në opozitë.”

Të dy analistët thanë se kjo periudhë është shndërruar në një fushatë të zgjatur. “Në këta tetë muaj, nëntë muaj ne praktikisht kemi, kjo ka qenë fusha zgjedhore praktikisht,” vlerësoi Koci, duke shtuar se debati në Kuvend u përdor kryesisht për të fajësuar palën tjetër para opinionit.

Në pjesën e dytë të bisedës u diskutuan zgjedhjet e ardhshme dhe pasojat e tyre. Koci tha se zgjedhjet mund të hapin rrugën e zgjidhjes, por edhe të rrezikut. “Mendoj se gjasat janë më të mëdha që pas këtyre zgjedhjeve të ketë zgjidhje, sepse thjesht edhe subjektet politike do ta kuptojnë që në të kundërtën e dërgojnë Kosovën në humnerë,” u shpreh ai, duke rikujtuar se brenda një viti vendi i janë zhvilluar katër palë zgjedhjesh.

Ai përshëndeti deklarimin e Bedri Hamzës se PDK “nuk do të ketë vija të kuqe”, por paralajmëroi se pas zgjedhjeve nuk do të mjaftojnë më 61 vota. “Tani pas këtyre zgjedhjeve nuk duhen gjashtëdhjetë e një vota, por duhen tetëdhjetë, sepse në pako do të jetë edhe zgjedhja e presidentes,” tha Koci, duke vënë në dukje nevojën për kompromis dhe koalicione, edhe kur ato mund të duken “të panatyrshme” për shkak të ndarjes së posteve kryesore shtetërore.

Të dy analistët kërkuan ulje të tensioneve, heqje të gjuhës së urrejtjes dhe kthim te bashkëpunimi. Koci theksoi se është imperativ që subjektet politike të ulin tensionet, duke paralajmëruar se vendi është “në tehun e luftës hibride të Serbisë”, ku rrjetet sociale dhe dezinformimi mund të shfrytëzohen në një atmosferë akuzash.

Luzha theksoi se vlerat mbi të cilat duhet të ndërtohet politika janë bashkëpunimi, dashamirësia, komunikimi dhe mirësjellja, të kundërta me klimën e urrejtjes dhe përçarjes. Në mesazhin e fundit ajo apeloi që pas këtij “epilogu të vitit” të kërkohet një rrugë tjetër: të vendosen në tavolinë temat që bashkojnë dhe jo ato që thellojnë ndarjet. Luzha kërkoi që bashkimi dhe bashkëpunimi të mos anatemohet më, por të shihet si domosdoshmëri.

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *