Anëtarët e Këshillit Prokurorial të Kosovës, të cilët braktisën mbledhjen ku u vendos për shkarkimin e ushtruesit të detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi, mbajtën një konferencë për media dhe deklaruan se vendimi është i paligjshëm.
Visar Krasniqi, anëtar i KPK-së, ftoi institucionet e drejtësisë që të hetojnë rastin dhe të vlerësojnë shkeljet e kryera nga anëtarët e Këshillit. Ai tha se në hetim duhet të përfshihen AKI, Policia e Kosovës dhe partnerët ndërkombëtarë: “Ftojmë institucionet relevante të vlerësojnë shkeljet e kryera nga anëtarët e Këshillit Prokurorial sot.”
Krasniqi theksoi se Besim Kelmendi vazhdon të ushtrojë detyrën e kryeprokurorit të shtetit përderisa nuk ekziston një vendim i ligjshëm: “Kryeprokurori i shtetit vazhdon detyrën përderisa nuk ekziston një vendim i ligjshëm. Vendimi i sotëm është pa efekt juridik, i papranueshëm, i paligjshëm.”
Nga ana tjetër, Këshilli Prokurorial i Kosovës ka vendosur shkarkimin e Besim Kelmendit nga pozita e ushtruesit të detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit. Për shkarkimin votuan pesë anëtarë, ndërsa në të njëjtën mbledhje u vendos që Agron Qalaj të emërohet ushtrues i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit.