Një anije spiune ruse ka përdorur laserë për herë të parë për të penguar pilotët e forcave ajrore britanike që po gjurmonin aktivitetin e saj pranë ujërave të Mbretërisë së Bashkuar. Lajmin e konfirmoi sekretari britanik i Mbrojtjes, John Healey.
Sipas mediave britanike, Healey e cilësoi këtë veprim të anijes Yantar si “thellësisht të rrezikshëm” dhe bëri të ditur se qeveria po e trajton situatën me seriozitet të madh.
Anija ka qenë në veri të Skocisë dhe ka hyrë në ujërat britanike për herë të dytë këtë vit gjatë javëve të fundit. Healey theksoi se Mbretëria e Bashkuar do të vazhdojë ta monitorojë anijen dhe se janë përgatitur “opsione ushtarake” nëse ajo ndryshon kurs.
“Mesazhi im për Rusinë dhe Putinin është ky: ne ju shohim. Ne e dimë se çfarë po bëni. Dhe nëse Yantar udhëton drejt jugut këtë javë, ne jemi gati”, tha ai.
Incidenti me përdorimin e laserëve ndodhi ndërsa anija Yantar po ndiqej nga një fregatë e Marinës Mbretërore dhe avionë zbulues RAF Poseidon P-8, të vendosur për të ndjekur çdo lëvizje të saj. Ngjarja mendohet të ketë ndodhur brenda dy javëve të fundit.
Gjatë një konference për shtyp në Downing Street, Healey bëri të ditur se janë ndryshuar edhe rregullat e angazhimit të Marinës Mbretërore, për t’i mundësuar asaj ndjekjen më të afërt të Yantarit kur kjo ndodhet në ujërat britanike.
Anija Yantar, e futur në shërbim në vitin 2015, është pjesë e Drejtorisë Kryesore të Rusisë për Kërkime në Det të Thellë (GUGI).
I pyetur për rreziqet që paraqesin lazerët ndaj pilotëve, Healey tha: “Çdo gjë që pengon, prish ose vë në rrezik pilotët përgjegjës për aeroplanët ushtarakë britanikë është thellësisht e rrezikshme.”