Antoni Peshev: Maqedonia duhet të përgatitet për sfidat e së ardhmes në arsim dhe teknologji

Bota po përballet me ndryshime të mëdha në fushën e fuqisë punëtore dhe teknologjisë, dhe nevojitet një mobilizim i plotë i kapaciteteve për t’u përballur me to. Kështu deklaroi Antoni Peshev, drejtor ekzekutiv i Odës së Tregtisë të Maqedonisë së Veriut, gjatë konferencës “Ndërtimi i së ardhmes – aftësi praktike për gjeneratën e re”.

Sipas tij, vendi duhet të përgatitet për gjithçka që sjell e ardhmja, të cilën ai e përshkroi si një “cunam në pritje”. Në këtë drejtim, Peshev theksoi domosdoshmërinë për reforma rrënjësore në arsimin e lartë.

“Maqedonisë i duhet cilësi, jo një fabrikë për diploma. Kjo është thelbësore për të ardhmen. Nëse kemi arritur që rreth 70 për qind e nxënësve të regjistrohen në shkolla profesionale në arsimin e mesëm, është koha që ky orientim të vijojë edhe në universitetet. Përndryshe, do të kemi diploma, por jo vende pune. Ky është një sinjal që duhet të kuptohet nga të gjithë, përfshirë edhe Qeverinë”, u shpreh Peshev.

Ai paralajmëroi se inteligjenca artificiale do të ketë një ndikim gjithnjë e më të madh në formësimin e profesioneve të së ardhmes dhe në strukturën e tregut të punës.

“Inteligjenca artificiale krahasohet me zjarrin – mund të jetë një ndihmës i jashtëzakonshëm, por nëse nuk menaxhohet si duhet, mund të bëhet e rrezikshme. Shumë ekspertë globalë theksojnë se bota ende nuk ka përcaktuar qartë vendin e inteligjencës artificiale në arsim, në tregun e punës dhe në sistemet e tjera ku ajo gjendet”, përfundoi Peshev.

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *