Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, së bashku me kryeministrin Hristijan Mickoski, vizituan sot Klinikën Universitare për Sëmundje Kirurgjike ‘Shën Naum i Ohrit’, ku u instalua një aparat i gjeneratës më të re për rezonancë magnetike.
Ministri Aliu njoftoi se po vijon zbatimi i projekteve që u ndalën për shkak të zgjedhjeve lokale dhe se ky është një projekt tjetër i Qeverisë dhe Ministrisë së Shëndetësisë për avancimin e procedurave diagnostikuese, me qëllim ofrimin e shërbimeve shëndetësore në kohë reale dhe me cilësi më të lartë.
Drejtori i klinikës, Nebojsha Nastov, tha se vitin e kaluar institucioni u pajis me aparaturë moderne mjekësore me vlerë totale 90 milionë denarë.
Sipas drejtuesit, gjenerata e re e aparatit për rezonancë magnetike shkurton kohën e ekzaminimeve dhe rrit numrin e kontrolleve që mund të kryhen brenda ditës. Me aparatin paraprak, i cili ishte 16 vjet i vjetër, kryheshin rreth 4.000 rezonanca magnetike në vit, ndërsa me aparatin e ri presin të realizohen të paktën 5.000 incizime vjetore. Përveç aparatit të ri për rezonancë magnetike, në klinikë janë siguruar edhe dy kolona të reja laparoskopike dhe instrumente për traumatologji.