Në episodin e 64-të të podcastit “Arena e Yjeve”, prodhim i Telegrafit, i mbështetur nga sponsorët Golden Eagle dhe Air Munich, mysafir ishte Arben Zeqiri, një nga figurat më të njohura të futbollit nga Gjilani.
Zeqiri foli për transferimin e tij te klubi Drita, duke theksuar se kryetari i atëhershëm, Saqip Shala, luajti rolin kyç në këtë vendim.
“Oferta ishte tunduese, por projekti edhe më shumë. Kryetari Shala më tha: ‘Do të fitojmë titullin’. Ai ishte arsyeja kryesore që kalova te Drita”, tregoi Zeqiri.
Ai shtoi se i ishin përmbushur të gjitha kushtet dhe kishte marrë mundësinë të punonte si mësimdhënës në një gjimnaz, çka për të ishte ëndërr.
“Isha mësues në shkollë fillore, por ëndrra ime ishte të jepja mësim në gjimnaz. Në të njëjtën kohë isha edhe sportisti më i mirë i qytetit në vitin 2007. Për këtë arsye më thanë: ‘E ke edhe këtë mundësi’”, tha ai.
Zeqiri kujtoi edhe pagën e ulët të asaj kohe. “218 euro ishte rroga si mësimdhënës. Dhe megjithatë lashë Dubain për t’u kthyer në atë shkollë që ka një traditë 80-vjeçare. Jam shumë krenar për këtë”, theksoi ai.
Ai përmendi edhe një projekt të parealizuar në klubin Drita, për shkak se disa futbollistë të planifikuar për t’u bashkuar, si Bekim Iusfi, Uliks Emra, Malësor Gjonbalaj dhe Lekë Pula, nuk erdhën.
Episodin e plotë me Arben Zeqirin mund ta ndiqni në kanalin zyrtar të Telegrafit në YouTube.