Trajneri i Liverpoolit, Arne Slot, tha se klubi nuk do të përdorë vdekjen tragjike të Diogo Jotës si justifikim për fillimin e dobët të sezonit 2025–26.
Jota humbi jetën në korrik, ngjarje që tronditi botën e futbollit. Shumë lojtarë të Liverpoolit, përfshirë Mohamed Salah, humbën më shumë se një bashkëlojtar – ata humbën një mik të afërt.
Liverpooli nisi sezonin me shtatë fitore radhazi në Ligën Premier, Ligën e Kampionëve dhe Carabao Cup, por më pas pësoi një seri me katër humbje radhazi, që u shndërruan në gjashtë disfata në shtatë ndeshje. Në ndeshjen e fundit, skuadra u mposht 3–0 nga Manchester City, duke e lënë Liverpoolin tetë pikë pas kreut dhe duke vënë në vështirësi mbrojtjen e titullit.
Slot theksoi se klubi ndjen mungesën e lojtarit dhe të njeriut, por se nuk do ta përdorë atë për të shpjeguar rezultatet negative. Ai tha: “Në këtë moment, gjithmonë mendoj se si duhet të jetë për gruan dhe fëmijët e tij, sepse për ta është shumë, shumë, shumë më e vështirë sesa për ne. Por që do ta ndjejmë mungesën e lojtarit dhe të njeriut, kjo është krejtësisht e qartë. Tani luajmë kundër Nottingham Forest; sezonin e kaluar ishim 1–0 në disavantazh dhe atij i mjaftoi një minutë që ta barazonte rezultatin.”
“Gjëja e fundit që do të bëja është ta përdorja këtë si justifikim,” shtoi ai. “E di me siguri se na mungon lojtari, kjo është 100 për qind e vërtetë, dhe na mungon edhe njeriu, por unë nuk mund të mas ndikimin që kjo ka në rezultatet tona. Është e pamundur për mua ta them dhe kurrë nuk do ta përdorim si justifikim.”
(Telegrafi)