Arrestohen 35 anëtarë të grupit që trafikon objekte kulturore në Evropë

Një operacion i koordinuar, i raportuar nga Eurojust, çoi në arrestimin e 35 anëtarëve të një grupi kriminal që dyshohet se vodhën dhe trafikonin mijëra objekte kulturore nëpër Europë. Autoritetet nga gjashtë vende, përfshirë edhe Shqipërinë, kontrolluan mbi 125 vende si pjesë e hetimit.

Gjatë kontrolleve u zbuluan dhe sekuestruan më shumë se 3 000 objekte, me një vlerë të vlerësuar mbi 100 milionë euro. Po ashtu u konfiskuan dokumente, pajisje elektronike, mbi 50 000 dollarë para në dorë dhe ar për investime. Vlera totale e mallrave të vjedhura në këtë skemë është vlerësuar rreth 870 milionë euro.

Në një bastisje të kryer në Bullgari në vitin 2020, autoritetet sekuestruan rreth 7 000 objekte kulturore me vlerë historike. Koleksioni përfshinte maska, pajisje ushtarake, bizhuteri, vazo dhe kupa nga qytetërime trake dhe greko-romake, disa prej të cilave datojnë që nga viti 2 000 para Krishtit. Mungesa e dokumentacionit për shumë prej këtyre objekteve ngriti dyshime për blerje të paligjshme dhe çoi në hapjen e hetimeve.

Midis të dyshuarve të arrestuar është edhe një Objektiv me Vlerë të Lartë (HVT), i dyshuar si udhëheqës i operacionit dhe si financiar i gërmimeve të paligjshme në Bullgari dhe vende të tjera fqinje.

Sipas njoftimeve, grupi kriminal vepronte kryesisht në Francë, Gjermani, Mbretërinë e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara. Kontrollime lidhur me operacionin janë kryer edhe në Shqipëri, ku Eurojust bashkëpunoi me SPAK.

Burimi: Euronews.al

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *