Policia njofton se në Librazhd është arrestuar një 36-vjeçar, i dyshuar se i ka dhënë një çifti të moshuar një dozë të lartë të një qetësuesi, të dyshuar si valium, dhe më pas ka vjedhur para nga banesa e tyre. Autoritetet publikuan pamje nga arrestimi i të dyshuarit.
Sipas Policisë, fillimisht është raportuar se dy bashkëshortë ishin dërguar në spitalin e Librazhdit dhe më pas në QSUT, në gjendje të rënduar shëndetësore dhe të dyshuar për intoksikim. Komisariati i Policisë Librazhd organizoi hetimet për zbardhjen e ngjarjes.
Falë veprimeve të koordinuara me Seksionin për Hetimin e Krimeve kundër Personit në DVP Elbasan dhe nën drejtimin e Prokurorisë, në kuadër të operacionit “Opportunity” u identifikua, u kap dhe u arrestua i dyshuari, shtetasi I. K., 36 vjeç.
Hetimet tregojnë se i arrestuari, i afërm i familjes (dhëndër), dyshohet se u ka administruar çiftit një dozë të lartë të medikamentit, duke shkaktuar dëmtime të rënda shëndetësore, dhe më pas ka vjedhur një shumë parash nga banesa.
Policia thekson se çifti i moshuar ndodhet nën kujdesin e mjekëve dhe janë jashtë rrezikut për jetën. Si prova materiale u sekuestruan shumën e parave të vjedhura dhe një telefon celular.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan për veprime të mëtejshme.