Arsimi befasoi kampionin, mposht Shkëndijën 3-0; Tikveshi mund Bashkimin 3-0

Java e 14-të e Ligës së Parë të Maqedonisë së Veriut solli rezultate të forta dhe befasuese. Arsimi fitoi bindshëm ndaj Shkëndijës në Gostivar me 3-0, ndërsa Tikveshi mundi Bashkimin në Kavadar me të njëjtin rezultat.

Arsimi përgatiti surprizën më të madhe të javës, duke mundur kampionin në fuqi Shkëndijën 3-0. Pjesa e parë përfundoi pa gola, megjithëse të dyja skuadrat krijuan raste. Shkëndija kërkoi të zhbllokonte takimin, por mbrojtja e vendasve funksionoi mirë dhe portieri Islami i priti përpjekjet kundërshtare. Latifi pati një tentativë që u ndal nga portieri vendas.

Pjesa e dytë filloi me ritëm të lartë dhe brenda katër minutave pas rifillimit Arsimi shënoi dy herë të shpejtë: Shefit Shefiti në të 46-ën dhe Alban Taipi në të 49-ën, për epërsi 2-0. Shkëndija tentoi të reagojë, por përpjekja e dytë e Shefetit u ndal nga portieri Amzai. Tetovarët kërkuan hapësira kryesisht nga krahu i majtë me Ibraimin dhe Spahiun, pa arritur të krijonin raste të pastra. Në minutën e 75-të Xhemil Jahiji shënoi nga skaji i zonës dhe vulosi fitoren 3-0.

Me këtë dëmtim në renditje, Shkëndija mbetet me 30 pikë, ndërsa Arsimi ngjitet në 18 pikë, vetëm katër më pak se Bashkimi.

Në Kavadar, Tikveshi fitoi 3-0 ndaj Bashkimit, me tre gola të shënuar brenda 19 minutave në pjesën e parë. Ivan Ivanovski zhbllokoi rezultatin, më pas Martin Stojanov e çoi në 2-0 dhe Rushtu Jonus vendosi rezultatin final 3-0. Pas kësaj fitoreje Tikveshi ngjitet në vendin e tetë me 15 pikë, ndërsa Bashkimi mbetet i pesti me 22 pikë.

Në javën e ardhshme, Shkëndija pret Rabotniçkin, ndërsa Arsimi udhëton në Kratovë përballë Sileksit. Tikveshi do të luajë në Strumicë, ndërsa Bashkimi udhëton në Strugë. Në program është edhe dueli Rabotniçki–Struga, ndërsa të martën do të luhet ndeshja e shtyrë Shkupi–Pelisteri në Strugë.

/Telegrafi/

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *