Artan Hoxha i shpallur ‘non-grata’ në kufi me Greqinë, reagon deputeti i PS Ardit Bido

Gazetari Artan Hoxha u ndal në orët e para të mëngjesit të sotëm teksa po përpiqej të kalonte në tokën greke. Sipas informacioneve, atij i është komunikuar se ishte shpallur person “non-grata” dhe është kthyer në Shqipëri.

Pas ngjarjes, reagoi deputeti i Partisë Socialiste, Ardit Bido, i cili e cilëson këtë masë të papranueshme dhe si një abuzim me vlerat evropiane. Ai deklaron se ndalimi i Hoxhës në kufirin shqiptaro-grek është rasti i dytë në pak vite që gazetarët shqiptarë ndalohen në kufi për shkak të raportimit dhe bindjeve të tyre.

“Është e papranueshme që në shekullin e 21-të autoritetet e një shteti evropian të ndikohen nga grahmat e fundit të nacionalizmit”, shprehet Bido. Ai shton se “kërkimi i të drejtave të shqiptarëve të Çamërisë, përballja me nacionalizmin politik të fenomeneve Agimi i Artë, Beleri etj., si dhe mbrojtja e të drejtave kombëtare të shqiptarëve, nuk janë opsion, por detyrim i çdo gazetari dhe i çdo shqiptari. Ndaj, sulmi ndaj tyre, përmes shpalljes ‘non grata’ përbën abuzimin më të madh me vlerat evropiane”.

Ky nuk është rasti i parë që Greqia merr një masë të tillë ndaj gazetarëve; shumë vite më parë shteti grek shpalli si person të padëshirueshëm gazetarin e Top Channel, Marin Mema.

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *