Mikel Arteta ka deklaruar se një pjesë e rëndësishme e suksesit të tij si trajner i Arsenalit i atribuohet Pep Guardiolës, të cilin e konsideron si heroin e tij dhe njeriun që i hapi rrugën në karrierë.
Pas tërheqjes nga futbolli profesionist në vitin 2017, Arteta u bashkua me stafin teknik të Manchester City-t si ndihmës i Guardiolës, përpara se të merrte drejtimin e Arsenalit në dhjetor të vitit 2019.
Lidhja mes dy trajnerëve spanjollë fillon që në vitin 1997, kur Arteta iu bashkua akademisë së njohur të Barcelonës, La Masia, nga klubi Antiguoko. Në atë kohë, Guardiola ishte një nga lojtarët kryesorë të ekipit të parë katalanas.
Arteta kaloi dy vite në sistemin e të rinjve të Barcelonës, përpara se të luante për Barcelonën B nga viti 1999 deri në 2002.
“Takova Pepin kur isha 15 vjeç. Ai ishte heroi im si lojtar. Më pas përfunduam duke punuar së bashku në një nga periudhat më të mira të jetës sime. Nëse jam ulur në karrigen ku jam sot, është falë tij”, u shpreh Arteta.
I pyetur për vendimin për t’i bashkuar stafit të Guardiolës te Manchester City, ai tha: “Mund të ketë qenë për shkak të lidhjes sonë në aspektin e filozofisë dhe mënyrës se si jemi edukuar në Barcelonë”.
“Gjithashtu, mendoj se ishte gjëja e duhur për mua: të largohesha nga një klub, të mësoja nga njerëz të tjerë dhe të kisha përvoja të reja. Ai më dha mundësinë që, pa pasur përvojë si trajner, të bëhesha menjëherë pjesë e stafit të tij teknik. Ishte një nga vendimet më të mira që kam marrë në jetë”, përfundoi Arteta.