AUV: 485 dele dhe 25 qingja të futur pa autorizim u kthyen në vendin e origjinës

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) njofton se, në bashkëpunim me autoritetet kompetente, u vendos kthimi në vendin e origjinës i 485 deleve dhe 25 qingjave, të cilat kishin hyrë pa autorizim në territorin e Republikës së Kosovës.

Më 16 nëntor 2025, Policia Kufitare, Dogana dhe Shërbimi Veterinar ndaluan në Prizren një grup kafshësh të kontrabanduara. Kafshët nuk posedonin certifikata shëndetësore veterinare dhe paraqisnin rrezik për përhapjen e sëmundjeve ngjitëse.

Kthimi i kafshëve në Shqipëri u realizua në bashkëpunim të ngushtë me Policinë e Kosovës, Policinë Kufitare, Doganën dhe Prokurorinë e Shtetit.

AUV njofton se monitoron në mënyrë rigoroze dhe të vazhdueshme gjendjen shëndetësore dhe lëvizjet e të gjitha kategorive të kafshëve brenda vendit, për të parandaluar futjen dhe përhapjen e sëmundjeve ngjitëse që mund të dëmtojnë fondin blegtoral dhe ekonominë bujqësore.

Agjencia gjithashtu kujton se importi i kafshëve të gjalla lejohet vetëm përmes pikave kufitare të autorizuara, ku kryhen kontrollet e detyrueshme dokumentare, identifikuese dhe veterinare, për të shmangur çdo rrezik për shëndetin e kafshëve, sigurinë ushqimore dhe shëndetin publik.

Burimi: Telegrafi

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *