Avokati i ish-presidentit të Kosovës, Pierre Richard Prosper, në një intervistë për Klan Kosova tha se nëse Thaçi dhe të tjerët shpallen fajtorë, kjo do të ishte një keqkuptim i qartë dhe një vlerësim i padrejtë i tërë historisë.
“Mendoj se nëse ata shpallen fajtorë, mendoj se është një keqkuptim i qartë dhe vlerësim i padrejtë jo vetëm për të vërtetën, por për gjithë historinë”, deklaroi Prosper.
Ai tha se të dhënat historike brenda NATO-s, kujtimet e zyrtarëve përgjatë zinxhirit komandues dhe dokumentet e qeverive shkojnë në drejtim të kundërt me një përfundim të tillë: “jo vetëm historia por të dhënat historike brenda NATO-s dhe kujtimet e zyrtarëve përgjatë zinxhirit komandues si dhe të dhënat historike të të gjitha qeverive janë krejt të kundërta me një përfundim të tillë”.
Sipas tij, dëshmitarët e mbrojtjes dolën të hutuar, duke pyetur “pse jemi këtu?” dhe kjo pyetje përsëritet duke reflektuar komentet dhe përshtypjet e tyre të mëparshme.
Avokati tha se presidenti Thaçi, për të cilin ai është i autorizuar të flasë, nuk duhet të ishte pjesë e këtij procesi, pasi sipas tij nuk është përgjegjës për pretendimet që ka ngritur prokuroria: “S’mund të jetë më e qartë”.
Prosper shtoi se pas dëgjimit të dëshmitarëve mbrojtës, të gjithë besojnë se e vërteta është nxjerrë në pah, por vendimi përfundimtar i takon gjyqtarëve. “Historia do ta dëshmojë të vërtetën, cilido që të jetë përfundimi i këtij gjykimi”, përfundoi ai.