Avokati Stojkoviq kërkon hetim për përfshirjen e Vuçiqit në “Safarin e Snajperëve” gjatë rrethimit të Sarajevës

Avokati serb Çedomir Stojkoviq njoftoi se të hënën do të dorëzojë një kërkesë zyrtare për hetime pranë Prokurorisë për Krime të Luftës dhe Zyrës së Prokurorit për Krim të Organizuar, lidhur me dyshimet për pjesëmarrjen e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, në të ashtuquajturin “Safari i Snajperëve” gjatë luftës në Bosnje e Hercegovinë.

Sipas Stojkoviq, gjatë rrethimit të Sarajevës civilë boshnjakë u vranë nga snajperë të sjellë si “turistë lufte”, të cilët, sipas tij, paguanin deri në 100,000 euro për të marrë pjesë në këto veprime. Ai thotë se ekzistojnë prova që tregojnë se kjo gjueti e organizuar u krye përmes Beogradit dhe se Vuçiç ka qenë i përfshirë drejtpërdrejt.

Në një postim në Facebook avokati theksoi se nuk ka arsye që vetëm prokuroria në Milano të hetojë rastin, ndërsa organet serbe të drejtësisë, që sipas tij ndodhen “vetëm tri kilometra larg Vuçiçit”, të qëndrojnë pasive. Ai kërkon që Prokuroria e Beogradit t’u bashkohet hetimeve dhe të përfshijë të gjithë të dyshuarit, përfshirë presidentin.

Stojkoviq rikujtoi deklaratat e Vuçiçit në vitin 1994, kur ai kishte thënë se ishte dërguar vullnetar në pjesën serbe të Sarajevës dhe kishte qëndruar edhe në Varrezat Hebraike — një prej lokacioneve që dëshmitarët e përshkruajnë si pikë nga ku snajperët vrisnin civilë. Ai përmend gjithashtu deklarimet e Vojislav Šešeljit në Gjykatën e Hagës, sipas të cilave Vuçiç ishte pjesë e një njësie të komanduar nga Slavko Aleksić, ku, thotë Stojkoviq, ishte aktiv edhe një grup rus i përfshirë në “Safarin e Snajperëve”.

Avokati tha se ekzistojnë video të viteve ’90 ku Vuçiç shihet me një armë që i ngjan një pushke snajperi. Ai përmend gjithashtu pjesëmarrjen e Zlatko Novakovićit, i njohur si Zak Novak, i cili, sipas tij, ishte pjesë e së njëjtës njësi dhe së fundmi është parë duke kërcënuar protestues në Beograd.

Stojkoviq ngriti pyetje që, sipas tij, Vuçiç duhet t’i përgjigjet: çfarë roli ka pasur në atë kohë, cilat objektiva ndiqte ndërsa mbante armën dhe nëse ishte i vetëdijshëm se ushtria serbe po organizonte një “gjueti për civilë”.

Ai kujtoi edhe deklaratën e Vuçiçit në Kuvendin e Serbisë gjatë viteve të luftës: “Për çdo serb të vrarë, do të vrasim 100 boshnjakë.” Sipas avokatit, kjo duhet të shërbejë si pjesë e analizës së përgjegjësisë së presidentit serb për krimet e kryera në Sarajevë.

Burimi: Telegrafi

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *