Axios: Trump dhe Rusia punojnë në një plan të fshehtë paqeje për Ukrainën

Agjencia amerikane e lajmeve Axios raportoi se administrata e presidentit të SHBA-së, Donald Trump, po zhvillon në mënyrë jozyrtare një plan të ri me Rusinë për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.

Sipas burimeve të Axios, ky plan përmban 28 pika dhe është ndarë në katër kategori kryesore: paqja në Ukrainë, garancitë e sigurisë, siguria në Evropë dhe marrëdhëniet e ardhshme të SHBA-së me Rusinë dhe Ukrainën.

Një zyrtar i lartë rus tha për Axios se është optimist për planin, megjithëse mbetet e paqartë si do të reagojë Ukraina dhe partnerët e saj evropianë.

Burimet theksojnë se nuk është sqaruar ende si do të trajtohet çështja e kontrollit territorial në lindje të Ukrainës, ku forcat ruse vazhdojnë të kenë përparime të kufizuara dhe kontrollojnë më pak territor sesa ka kërkuar Kremlini.

Sipas Axios, i dërguari i Trump, Steve Witkoff, po udhëheq procesin e hartimit të planit dhe e ka diskutuar atë në detaje me të dërguarin special rus, Kirill Dmitriev.

Dmitriev, drejtor ekzekutiv i Fondit Rus të Investimeve Direkte dhe pjesëmarrës në bisedimet diplomatike për Ukrainën, tha për Axios se zhvilloi tre ditë diskutimesh me Witkoff dhe pjesëtarë të tjerë të ekipit Trump gjatë një vizite në Miami nga 24 deri më 26 tetor.

Një zyrtar ukrainas konfirmoi për Axios se Witkoff e ka diskutuar planin me Sekretarin e Këshillit të Sigurisë dhe Mbrojtjes Kombëtare të Ukrainës, Rustem Umierov, gjatë një takimi në Miami në fillim të javës.

Witkoff kishte planifikuar të takohej me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky në Turqi më 19 nëntor, por e shtyu udhëtimin.

Një përfaqësues i Shtëpisë së Bardhë deklaroi për Axios se presidenti Trump është i angazhuar për të ndaluar luftimet dhe për të realizuar një marrëveshje për t’i dhënë fund luftës. Ai beson se, nëse tregohen fleksibilitet dhe vullnet, ekziston mundësia për paqe.

Dmitriev tha se bisedimet bazohen në parimet e rëna dakord mes Trump dhe presidentit rus Vladimir Putin gjatë një takimi në Alaska në gusht. Objektivi është përgatitja e një propozimi formal që adreson konfliktin në Ukrainë dhe njëkohësisht shqetësimet e sigurisë së Rusisë dhe marrëdhëniet me SHBA-në.

Ai shtoi se propozimi synon të sjellë siguri të qëndrueshme në Evropë, jo vetëm në Ukrainë. Përpjekjet, sipas tij, nuk janë të lidhura me iniciativën britanike për një plan paqeje sipas modelit të Gazës, të cilën e konsideron të pasuksesshme pasi nuk merr parasysh pozicionin e Rusisë.

Dmitriev theksoi se pala amerikane po përpiqet të shpjegojë përfitimet e këtij plani tek ukrainasit dhe partnerët evropianë. Ai tha se përpjekjet zhvillohen në një kohë kur Rusia po shënon përparime në fushën e betejës.

Axios njofton gjithashtu se një zyrtar amerikan ka konfirmuar se Shtëpia e Bardhë ka filluar të informojë zyrtarë evropianë për planin, ndonëse kjo nuk përfshin ende Ukrainën. Zyrtari shtoi se ekziston një mundësi reale për të përfshirë Kievin dhe partnerët evropianë, dhe se plani mund të përshtatet bazuar në kontributet e tyre.

“Mendojmë se është koha e duhur për këtë plan. Por të dyja palët duhet të jenë pragmatike dhe realiste”, përfundoi zyrtari amerikan.

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *