Sipas të dhënave të Bankës Popullore, bankat në Maqedoni kanë shënuar fitim neto prej 235.1 milionë euro për periudhën janar–shtator 2025. Vetëm nga qershori deri në shtator, fitimi u rrit me mbi 85 milionë euro; në qershor ai ishte 150 milionë euro. Me këtë ritëm, pritet që përfundimi i vitit t’i afrohet fitimit vjetor të 2024, i cili ishte 283 milionë euro.
Fitimi i bankave vendore pas tatimit:
– Viti 2024 (vjetor) – 283.0 milionë €
– Janar–Shtator 2025 – 235.1 milionë €
– Janar–Shtator 2024 – 242.1 milionë €
Të dhënat tregojnë se fitimi i sektorit bankar u ul për 7 milionë euro në krahasim me periudhën janar–shtator 2024. Ulja nuk vjen nga të ardhurat nga kamatat ose provizionet, të cilat janë rritur, por nga rritja e shpenzimeve për intereset që bankat paguajnë mbi depozitat.
Të ardhurat nga kamatat:
– Janar–Shtator 2025 – 441.8 milionë €
– Për familjarët – rreth 174.0 milionë €
– Janar–Shtator 2024 – 428.5 milionë €
Të ardhurat nga tarifat dhe provizionet:
– Janar–Shtator 2025 – 145.6 milionë €
– Janar–Shtator 2024 – 141.7 milionë €
Sipas llogaritjeve, vetëm nga kamatat dhe provizionet, qytetarët dhe kompanitë kanë paguar 587.4 milionë euro gjatë nëntë muajve të parë të 2025.
Guvernatori i Bankës Popullore, Trajko Sllaveski, ka kërkuar nga bankat të ulin tarifat, pasi edhe banka qendrore i uli tarifat për to. Sipas raportimeve të fundit, bankat kanë reduktuar çmimet e disa shërbimeve deri në 50 për qind (Tv21).