Robert Lewandowski ka pasur një fillim të suksesshëm me Barcelonën që nga transferimi nga Bayern Munich në vitin 2022. Në sezonin e tij të parë, ai shënoi 23 gola dhe ndihmoi skuadrën katalanase të fitojë titullin kampion nën drejtimin e trajnerit Xavi Hernandez.
Së fundmi, lajme të reja kanë dalë në dritë në lidhje me periudhën e fundit të atij sezoni. Sipas një libri të ri për Lewandowskin nga autori polak Sebastian Staszewski, klubi i Barcelonës dyshohet se i ka kërkuar sulmuesit të ndalonte së shënuari në dy ndeshjet e fundit të kampionatit.
Sipas pretendimeve në libër, një anëtar i bordit drejtues të Barcelonës i ka thënë Lewandowskit: “Robert, na duhet të ndalosh së shënuari gola në dy ndeshjet e fundit”. Arsyeja, sipas autorit, lidhej me një klauzolë në kontratën e transferimit që parashikonte një pagesë bonusi prej 2.5 milionë eurosh për Bayern Munich, nëse sulmuesi arrinte 25 gola në sezon.
Lewandowski, megjithë ndalimin e golave në fund të kampionatit, arriti të fitojë çmimin “Pichichi” si golashënuesi më i mirë i La Ligës për sezonin 2022/2023, duke lënë pas rivalin e tij më të afërt, Karim Benzema.