Barcelona po kërkon një qendërmbrojtës për verën e ardhshme, ndërsa e ardhmja e një prej opsioneve të tyre aktuale mbetet e paqartë.
Kontrata e Andreas Christensen skadon verën e ardhshme dhe sinjalet deri tani tregojnë se ai mund të largohet si lojtar i lirë. Brenda pak më shumë se një muaji, Christensen do të jetë i lirë të nënshkruajë me një klub tjetër, ndërsa klubi katalanas nuk ka shfaqur ende një interes të fortë për të ofruar një rinovim.
Këtë verë, Al-Nassr mori Inigo Martínez nga Barcelona me parametër zero dhe nga ajo përvojë shpresojnë ta përsërisin lëvizjen verën tjetër. Sipas raportimeve, para nënshkrimit me Martínez, Al-Nassr iu afrua Barcelonës për Christensen dhe ishte i gatshëm të shpenzonte 15 milionë euro, por mbrojtësi nuk e konsideroi ofertën.
Megjithë raportimet se Christensen nuk ka treguar dëshirë për rinovim, ai gjatë muajve të fundit ka deklaruar se dëshiron të qëndrojë te Barcelona. Kur është aktivizuar, Christensen ka dhënë paraqitje të mira dhe ishte një element kyç në mbrojtjen e ekipit gjatë vitit të parë nën drejtimin e Xavi Hernandez. Në dy sezonet pasuese, dëmtimet e kanë penguar që të jetë i qëndrueshëm dhe në formë.
Deri verën e ardhshme, lojtari duket i prirur të mos nxitojë në vendime rreth të ardhmes së tij.
Burimi: Telegrafi