Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka shprehur mbështetje të plotë për kërkesat e sindikatave për rritjen e pagës minimale, duke e cilësuar atë si një masë të domosdoshme sociale dhe ekonomike.
Sipas BDI-së, Maqedonia e Veriut ka aktualisht pagën minimale më të ulët në rajon dhe ka shënuar përparimin më të dobët në përafrimin e të ardhurave me kostot reale të jetesës gjatë dy viteve të fundit.
Aktualisht, paga minimale në vend është 397 euro, me një rritje të paralajmëruar në 422 euro në mars 2026. Në krahasim, Shqipëria dhe Serbia kanë pagë minimale prej 500 eurosh, ndërsa në Serbi ajo do të arrijë në 550 euro nga janari i vitit 2026. Në Mal të Zi, personat me arsim të mesëm kanë pagë minimale 600 euro, ndërsa ata me arsim të lartë marrin 800 euro. Në Bosnje paga minimale është 511 euro; në Kosovë, nga 425 euro aktualisht, do të rritet në 500 euro në vitin 2026.
“Maqedonia e Veriut jo vetëm që është e fundit në rajon, por edhe po e thellon hendekun çdo vit”, theksohet në deklaratën e BDI-së. “Kjo e bën fuqinë punëtore vendase më të lirën dhe më të ekspozuarën ndaj varfërisë dhe emigrimit”.
BDI thekson se inflacioni i kumuluar në dy vitet e fundit ka kaluar 30%, çmimet e ushqimeve janë rritur me 35 deri 45%, ndërsa ato të energjisë me 40%. Një familje mesatare shpenzon 50 deri në 60% të të ardhurave mujore vetëm për ushqim, ndërsa paga minimale aktuale mbulon vetëm 62% të kostos së shportës minimale të konsumit për një familje me katër anëtarë.
“Paga minimale aktuale nuk mbulon shpenzimet bazë të jetës dhe është kthyer në një pagë mbijetese”, thuhet në deklaratë. “Logjika ekonomike kërkon që paga minimale të ndjekë rritjen e produktivitetit. Produktiviteti për punëtor në Maqedoni është rritur me 20%, ndërsa paga minimale është rritur me më pak se 10%, edhe pas korrigjimeve për inflacionin”.
BDI nënvizon se norma e fitimit në sektorët me intensitet të lartë pune mbetet mbi 15%, çka sipas tyre, krijon hapësirë për rritje të pagave pa rrezikuar qëndrueshmërinë e bizneseve.
Partia kërkon që:
– Paga minimale të përshtatet me kostot reale të jetesës dhe të arrijë mesataren rajonale;
– Të zbatohet një model indeksimi që ndjek inflacionin dhe produktivitetin;
– Të ofrohet mbështetje fiskale për kompanitë mikro dhe të vogla, sipas modelit të Shqipërisë;
– Të merren masa aktive për ruajtjen e fuqisë punëtore dhe uljen e emigrimit.
BDI shprehet se do të vazhdojë të angazhohet për rritjen e pagës minimale, në mënyrë që të garantohet një jetë me dinjitet për punëtorët dhe që vendi të mos mbetet pas vendeve të tjera të rajonit.