Bashkimi Evropian ka vendosur sanksione ndaj Abdel-Rahim Hamdan Dagalo për “mizori të rënda dhe të vazhdueshme” të kryera nga forcat e tij në luftën më shumë se dyvjeçare me ushtrinë kombëtare të Sudanit.
Vendimi kundër Dagalos pason masa të ngjashme ndaj Forcave të Mbështetjes së Shpejtë (RSF) nga BE dhe SHBA. Uashingtoni kishte vendosur sanksione ndaj Dagalos në shtator 2023, në fillim të konfliktit.
Dagalo, numri dy në RSF dhe vëllai i udhëheqësit Mohamed Hamdan Dagalo (i njohur si Hemedti), u përfshi nga Këshilli i Punëve të Jashtme të BE-së në listën e personave të sanksionuar për shkeljet e kryera nga trupat e tij, përfshirë gjatë pushtimit të qytetit el-Fasher muajin e fundit, një qytet kyç në Darfur.
“Bashkimi Evropian dënon me forcë mizoritë e rënda dhe të vazhdueshme të kryera nga Forcat e Mbështetjes së Shpejtë në Sudan, përfshirë edhe pas pushtimit të qytetit el-Fasher”, tha Këshilli i Punëve të Jashtme.
Sanksionet përfshijnë ndalim udhëtimi në të gjithë BE-në, ngrirjen e disa pasurive dhe ndalimin e përfitimeve të drejtpërdrejta ose të tërthorta apo burimeve të tjera brenda bllokut 27-vendesh, sipas Komisionit Europian.
“Kjo dërgon një sinjal se bashkësia ndërkombëtare do të ndjekë ata që janë përgjegjës”, u tha gazetarëve shefja e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas. Ajo shtoi se “situata po përkeqësohet ndjeshëm” dhe se rënia e el-Fasher “hapi një kapitull tjetër shkatërrues në këtë luftë”.
Sulmet e RSF-së kanë lënë qindra të vdekur dhe kanë detyruar dhjetëra mijëra njerëz të largohen drejt kampeve të mbipopulluara. Burimi: Telegrafi.