Këngëtarja me famë ndërkombëtare Bebe Rexha ka ndarë së fundmi një video në TikTok që ka tërhequr vëmendjen e ndjekësve.
Në klip, ajo shfaqet duke performuar në rrugë në kushte shiu të rrëmbyeshëm, mes ndriçimit të makinave dhe dritave të natës, duke krijuar një atmosferë dramatike me një dozë nostalgjie.
“Le të bjerë shiu”, ka shkruar ajo në mbishkrimin e videos, ndërsa në të është vendosur fraza: “Domethënia e videos: Fëmijët e 90-tave kur është duke rënë shi”.
Videoja është një paraqitje me tone humoristike e mënyrës se si fëmijët e viteve ‘90 përjetonin shiun – me entuziazëm dhe një ndjesi dramatike. Ajo shihet duke pozuar, kërcyer dhe përjetuar momentin me intensitet, duke kombinuar humorin me estetikën muzikore.
Postimi ka marrë reagime pozitive në rrjetet sociale, ku shumë fansa kanë rikujtuar periudha nga fëmijëria dhe energjinë që shiu sillte te brezi i viteve ’90.
Ndërkohë, pavarësisht se ka kaluar kohë që nga publikimi i këngës së saj të fundit, artistja ka zbuluar se ka nëntë këngë të reja të gatshme, të cilat shpreson t’i publikojë së shpejti.