Bedri Hamza, kryetar i PDK-së, në konferencën për media pas mbledhjes së kryesisë së partisë tha se do të preferonte të bashkëpunonte më shumë me ish-partitë opozitare sesa me partinë që aktualisht është në pushtet.
Ai theksoi se nuk duhet të vendosen “vija të kuqe” për asnjë parti, sepse mbi të gjitha qëndron interesi i shtetit. “Sa u përket vijave të kuqe, për neve është më e preferueshme, më afër programeve tona politike që të jemi bashkë me partitë që kemi qenë në të kaluarën edhe në pushtet edhe në opozitë. Puna e vijave të kuqe mendoj që është mirë që mos me u vendosë, sepse është treguar e dëmshme për vendin. E kuptoj interesin e partive politike, por të gjithë ne duhet të jemi të sigurt në atë që interesi i vendit, i shtetit, është mbi partitë politike. Prandaj, ku është interesi i shtetit, është prioriteti kryesor”, u shpreh Hamza.
Ai po ashtu bëri thirrje për kujdes në gjuhën që përdoret gjatë fushatës zgjedhore, duke theksuar nevojën për të shmangur thellimin e polarizimit: “E thash edhe më herët që edhe gjuha që është përdorur në fushatë, mendoj që duhet të jemi të kujdesshëm, të mos ndihmojmë që ky polarizim i shoqërisë të vazhdojë e të rritet”, deklaroi ai.