Bedri Hamza takon ambasadoren e SHBA-së, rithekson vijat e kuqe të PDK-së

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, ka pritur sot ushtruesen e detyrës së ambasadores së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Anu Prattipati.

Në një postim në rrjetet sociale, Hamza theksoi se PDK-ja mbetet e përkushtuar ndaj dialogut, bashkëpunimit dhe kompromisit politik, por paralajmëroi se partia ka vija të qarta të kuqe: respektimin e Kushtetutës dhe ligjeve të vendit.

“Sot fillova angazhimin tim të ri me partnerët strategjikë. SHBA-ja është aleati kryesor i Kosovës dhe takimin e parë e zhvillova me ambasadoren Prattipati. PDK-ja është konstruktive dhe do të vazhdojmë dialogun dhe bashkëpunimin. Vijat tona të kuqe janë të qarta: Kushtetuta dhe ligjet e vendit. Çdo veprim që i cenon këto është i papranueshëm, prandaj nuk morëm pjesë në seancën e parë të Kuvendit,” deklaroi Hamza.

Ai shtoi se zgjedhjet e reja janë rruga për të dalë nga kriza politike dhe vlerësoi mbështetjen e SHBA-së për proceset që po kalon vendi.

Në një prononcim për media pas zgjedhjes së tij si kryetar i PDK-së, Hamza u pyet nëse partia e tij ka vija të kuqe në raport me Lëvizjen Vetëvendosje. Ai u përgjigj se nuk ka vija të kuqe ndaj asnjë partie politike.

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *