Belinda Balluku u paraqit të shtunën në mëngjes në Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) për verifikimin e masave të sigurisë dhe marrjen në pyetje.
Më herët në GJKKO hynë kreu i ARRSH, Gentian Gjyli, dhe drejtori i KESH, Erald Elezi. Ata u shoqëruan me policinë për shkak të masës së sigurisë “arrest në shtëpi”.
Të enjten, Gjykata e Posaçme caktoi për Ballukun dy masa sigurie: pezullim të ushtrimit të detyrës dhe funksionit, si dhe ndalim për t’u larguar nga vendi, në kuadër të hetimeve për shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tenderë.
SPAK njoftoi më 31 tetor se ka ngritur aktakuzë ndaj ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, për veprën penale “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tenderë apo ankande publike”, e kryer në bashkëpunim.