Berisha i drejtohet Kushtetueses për shfuqizimin e masës ‘detyrim me paraqitje’

Ish-kryeministri Sali Berisha i është drejtuar përsëri Gjykatës Kushtetuese. Më 20 nëntor ai dorëzoi një kërkesë për shfuqizimin e masës së detyrimit me paraqitje, e cila, sipas vendimit të Apelit datë 3 janar 2025, është në zbatim prej pothuajse një viti.

Pas dorëzimit të kërkesës, Anila Hoxha raportoi se në Gjykatën Kushtetuese u hodh shorti dhe si relatore u caktua Fjona Papajorgji.

Në Kushtetuese është regjistruar edhe një kërkesë e mëparshme e Berishës, për shpalljen antikushtetuese të caktimit të arrestit shtëpiak, masë që më vonë u shfuqizua. Kjo padi do të shqyrtohet më 17 dhjetor, ora 10:00.

Gjykata ka caktuar gjithashtu datën për shqyrtimin e kërkesës së Jamarbër Malltezit, dhëndrit të Berishës. Seanca plenare është njoftuar për më 15 janar 2026. Malltezi kërkon shfuqizimin, si të papajtueshëm me Kushtetutën, të vendimit nr. 400, datë 30.07.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar; vendimit nr. 172 (87-2024-248), datë 13.09.2024 të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar; dhe vendimit nr. 00-2024-2076, datë 17.12.2024 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë (njoftuar më 24.02.2025).

Këto vendime lidhen me masat e sigurisë ndaj Malltezit, i cili është nën akuzë nga SPAK dhe aktualisht ndodhet në proces gjyqësor.

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *