Një hetim i Iniciativës së Medias së Lirë në Ballkan (BFMI), një organizatë joqeveritare me seli në Bruksel, ka gjetur prova të manipulimit algoritmik të përhapur në TikTok gjatë periudhës zgjedhore të shkurtit 2025 në Kosovë.
Sipas raportit, manipulimet përfshinin metoda të koordinuara të ngjashme me ato të vëzhguara më parë në Rumani dhe Bullgari. Taktikat e identifikuara përfshijnë postime masive, komente të sinkronizuara, amplifikim përmes hashtagjeve dhe përdorim të llogarive jo origjinale.
Një pjesë e konsiderueshme e aktivitetit është përqendruar rreth Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) dhe kryeministrit Albin Kurti. BFMI thekson se TikTok-u luajti një rol kyç në formësimin e narrativave politike gjatë zgjedhjeve, duke qenë platforma më e përdorur në vend, pavarësisht ndalimit të saj në institucionet shtetërore për arsye të sigurisë kibernetike.
Platforma është e ndaluar në institucionet publike që nga 28 qershori 2024, por politikanët dhe partitë kanë vazhduar aktivitetin përmes llogarive personale dhe zyrtare. Sipas raportit, përmbajtja e publikuar nga partitë amplifikohet më pas nga profile jo origjinale, ndikues dhe të ashtuquajturat “llogari tematike”, krijuar posaçërisht për të rritur shtrirjen algoritmike.
Disa llogari që promovojnë kryeministrin Kurti mbeten të paqarta nëse menaxhohen nga mbështetës të vërtetë apo nga sisteme automatike. Metoda më e theksuar që BFMI identifikon është taktika e quajtur “Fire Tube”, ku një numër shumë i madh videosh publikohet brenda një periudhe të shkurtër nga një ose disa profile. Si shembull, llogaria @hamzahatika46 gjatë fushatës publikoi mbi 18 video dhe mbledhi më shumë se 13 milionë ndërveprime.
Raporti vëren gjithashtu manipulim të gjerë të hashtagjeve, ku etiketat partiake si #lvv dhe #ldk kombinohen me #fyp, #viral dhe #kosova për të prezantuar përmbajtjen politike si virale. Në raste të tjera, hashtagjet e partive rivale përdoren për përhapjen e përmbajtjeve kritike ose dezinformuese.
BFMI paralajmëron se manipulimi algoritmik paraqet një kërcënim për sigurinë kombëtare, duke cenuar integritetin e informacionit, rritur përçarjet etnike dhe zvogëluar besimin në institucionet demokratike. Organizata nënvizon se dobësimi i medias dhe kufizimet në lirinë e shprehjes e bëjnë publikun më të ndjeshëm ndaj propagandës dhe ndikimeve të aktorëve të huaj.
Në përfundim, raporti thekson se platformat sociale, përfshirë TikTok-un, po shndërrohen në instrumente të destabilizimit strategjik, me rreziqe që mund të prekin jo vetëm Kosovën, por edhe sigurinë më të gjerë evropiane.
Raporti i plotë në anglisht gjendet këtu: https://resources.koha.net/wysying/2025/November/19/8f6fabc4-cf5e-4c66-9027-029271be70b9.pdf?_gl=1*ro02pg*_gcl_au*NTQ2NzAxOTc1LjE3NjIyNzIyMjY.*_ga*MTczNDIzMzMwNy4xNzU0NDk1NjEx*_ga_G96B8TD2WM*czE3NjM2NjcwODckbzMxNSRnMSR0MTc2MzY2OTM0MyRqNjAkbDAkaDA.