Bislimi në darkën ministrore të BE-së: Kosova meriton statusin e vendit kandidat

Zëvendëskryeministri i parë në detyrë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi, mori pjesë në darkën joformale ministrore ndërmjet Bashkimit Evropian dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Gjatë takimit, Bislimi falënderoi Përfaqësuesen e Lartë të BE-së për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë, Kaja Kallas, si dhe Komisioneren për Zgjerim, Marta Kos, duke vënë në dukje rëndësinë e bashkëpunimit dhe koordinimit në këtë fazë të zhvillimeve evropiane.

Në adresimin e tij, ai theksoi shqetësimet për kërcënimet ndaj sigurisë dhe sulmet hibride që cenojnë demokracinë në rajon, duke bërë thirrje për unitet dhe vigjilencë. Zëvendëskryeministri përgëzoi Shqipërinë dhe Malin e Zi për përparimin e tyre në procesin e integrimit evropian, dhe vlerësoi përkushtimin e Ukrainës dhe Moldavisë për anëtarësim në BE.

Ai rikujtoi mbështetjen e vazhdueshme të Kosovës për Ukrainën në përballje me agresionin rus.

Duke folur për progresin e brendshëm, Bislimi përmendi disa arritje të rëndësishme, si ulja e papunësisë nga 23.8% në 10.9%, skemat mbështetëse për fëmijët dhe nënat lehona, afrimin me të ardhurat mesatare të BE-së, harmonizimin e politikës së jashtme me atë të BE-së, menaxhimin e migrimit pas liberalizimit të vizave, si dhe përmirësimin e treguesve në luftën kundër korrupsionit dhe sundimin e ligjit.

Ai deklaroi se Kosova “meriton marrjen e statusit të vendit kandidat dhe anëtarësimin në Këshillin e Evropës”, duke theksuar mbështetjen e lartë qytetare për procesin e integrimit.

Gjithashtu, Bislimi paralajmëroi për rrezikun që paraqesin aktorët destabilizues në rajon, të cilët sipas tij, synojnë të zhvendosin vëmendjen nga lufta në Ukrainë. Ai akuzoi Serbinë për vazhdimin e veprimeve që sfidojnë sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës, përmes letrave zyrtare në adresë të BE-së dhe akteve të cilësuara si terroriste në terren.

Në përmbyllje, zëvendëskryeministri tha se konteksti aktual gjeopolitik e bën zgjerimin e BE-së dhe forcimin e sigurisë evropiane më të domosdoshëm se kurrë. “Dhënia e statusit të vendit kandidat për Kosovën dhe arritja e konsensusit brenda BE-së do të ishte një hap kyç dhe një mesazh i fuqishëm uniteti,” u shpreh ai.

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *