Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës ka paralajmëruar se çdo vonesë në shpalljen e datës për zgjedhjet e parakohshme nga Presidentja rrit rrezikun për funksionimin normal të institucioneve në vitin e ardhshëm.
“Çdo ditë e humbur sot i ngushton opsionet ligjore, i shtyn afatet dhe e afron vendin me skenarë të pasigurt kushtetues, politik dhe fiskal,” tha Cakolli.
Ai shtoi se, sipas afateve aktuale, edhe pse Kushtetuta dhe Ligji për Zgjedhjet nuk janë plotësisht të harmonizuara, datat e mundshme për mbajtjen e zgjedhjeve mbeten 21 dhe 28 dhjetori.
“Por nëse konsultimet dhe vendimmarrja e Presidentes shtyhen pas 22 nëntorit, edhe 21 dhjetori bie si opsion, duke i shtyrë zgjedhjet potencialisht drejt janarit,” theksoi Cakolli.
Sipas tij, zgjedhjet në janar sjellin rreziqe të shtuara, pasi ndarja automatike e buxhetit vlen vetëm për muajin janar dhe jo për shkurt.
Cakolli nënvizoi se mbajtja e zgjedhjeve sa më herët gjatë dhjetorit është mënyra e vetme për të shmangur kriza të reja dhe për të zvogëluar presionin për formimin e institucioneve, i cili duhet të përfundojë në ditët e para të marsit.
“Sa më shumë të vonohet shpallja e datës, aq më afër skajit të afateve kushtetuese shtyhet vendi, me të gjitha rreziqet që sjell një skenar i tillë,” përfundoi ai.