Klubi bullgar CSKA Sofia po përpiqet ta bindë qendërmbrojtësin 26-vjeçar Lumbardh Dellova të qëndrojë, sipas raportimeve të Tema Sport. Sofia ka rifilluar negociatat për të parandaluar transferimin e tij me klauzolën aktuale të lirimit prej 900,000 eurosh.
Sipas të njëjtit raport, CSKA i ka ofruar Dellovës pasaportë bullgare, që do t’i mundësonte të qëndrojë në Evropë së bashku me familjen. Në të njëjtën kohë, i është propozuar një kontratë e re deri në vitin 2029, me pagë rreth 30 mijë euro në muaj.
Problemi kryesor mbetet klauzola e lirimit: lojtari dëshiron që ajo të rritet, por jo më shumë se 1.5 milionë euro, ndërsa CSKA nuk dëshiron të vendosë klauzolë.
Raporti shton se palët janë afër arritjes së marrëveshjes, pasi klubi nuk dëshiron ta humbasë lojtarin, i cili ka fituar vendin e titullarit në formacion.
Verën e kaluar Dellova ishte afër largimit, por refuzoi një ofertë të lartë financiare nga klubi saudit Al Namja, pasi gruaja e tij nuk dëshironte të largohej nga Evropa.
Përveç rolit te CSKA, Dellova mbetet i rëndësishëm edhe për përfaqësuesen e Kosovës, ku luan rol kyç në sistemin e trajnerit Franco Foda, pranë Amir Rrahmanit e Albian Hajdarit.
Raporti u përcoll në Telegrafi duke cituar Tema Sport.