Curaçao është bërë vendi më i vogël që kualifikohet ndonjëherë për Kupën e Botës, pas një barazimi pa gola në xhiron e fundit të fazës kualifikuese kundër Xhamajkës.
Me një popullsi prej vetëm 150,000 banorësh, ish-kolonia holandeze siguroi kualifikimin historik, duke fituar simpatinë e shumë tifozëve anembanë botës. Në ndeshjen vendimtare ndaj Xhamajkës, stadiumi ishte i mbushur me mbështetës të skuadrës, përfshirë edhe shumë tifozë neutralë.
Ekipi i Curaçaos përbëhet kryesisht nga lojtarë që luajnë në kampionatin holandez, Eredivisie, por edhe në klube të tjera evropiane. Disa prej tyre kanë kaluar më parë në skuadra të njohura të Ligës Premier, përfshirë Vurnon Anitën (Newcastle), Cuco Martina (Everton), Leandro Bacuna (Cardiff) dhe Juninho Bacuna (Huddersfield).
Në ndeshjen përfundimtare të grupit, Curaçao kishte nevojë për vetëm një pikë, ndërsa Xhamajka duhej të fitonte. Takimi përfundoi me rezultatin 0-0, në një përballje ku të dyja skuadrat krijuan raste për gol. Curaçao përfitoi gjithashtu nga kartoni i kuq i lojtarit xhamajkan Jonathan Russell në minutat e fundit të sfidës.
Me këtë rezultat, Curaçao siguroi një vend në Kampionatin Botëror dhe vendosi një rekord që pritet të mbetet i pakapërcyeshëm për një kohë të gjatë. Megjithëse është një shtet i vogël, shumë nga futbollistët e tij janë profesionistë dhe përvoja e tyre në Evropë e bën skuadrën një rival serioz në turneun më të rëndësishëm të futbollit botëror.